Përkushtim maksimal për avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore

0

Podgoricë – Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka pritur ambasadorin e ri të Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, me të cilin ka zhvilluar bisedimet përfundimtare para marrjes së detyrës së re.
Në deklaratën për shtyp të Presidencës së Malit të Zi thuhet se Vujanoviq ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit përmbajtësor midis dy shteteve fqinje në fushën e intensifikimit maksimal të marrëdhënieve dypalëshe, me theks në të gjitha aspektet e bashkëpunimit ekonomik me interes të dyanshëm për qytetarët e Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.
Ai ka theksuar se janë plotësuar kushtet që dy shtetet fqinje t’i shkëmbejnë ambasadorët pasi që komuniteti malazez në Republikën e Kosovës është njohur me Ligjin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, të miratuar në dhjetor të vitit 2011, të cilin e kanë mbështetur të gjitha subjektet relevante malazeze në Republikën e Kosovës.
Në takim është theksuar se Kosova po kalon nëpër një periudhë specifike të jetës parlamentare gjë që ndikon ndjeshëm në dinamikën e ndryshimeve të Kushtetutës, me të cilat komuniteti malazez do të jetë i përfshirë në aktin më të lartë juridik të Republikës së Kosovës.
“Për këtë arsye si periudhë kalimtare deri në ndryshimin e Kushtetutës, Ligji për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, në të cilin në mënyrë eksplicite normohet komuniteti malazez, është garanci e fuqishme se në Republikën e Kosovës do të mbrohen në mënyrë adekuate të drejtat dhe interesat e komunitetit malazez”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Ambasadori Dinosha ka thënë se do të jetë i përkushtuar ndaj bashkëpunimit midis dy shteteve, duke theksuar përcaktimin e tij për afirmimin e miqësisë dhe mirëkuptimit të plotë me qëllim të avancimit të marrëdhënieve edhe ashtu të mira të Malit të Zi dhe Kosovës.
Para emërimit ambasador në Republikën e Kosovës, Dinosha ka qenë ambasador në Republikën e Shqipërisë.
(Kohapress)

Share.

Leave A Reply