Përpjekje maksimale për të qenë pjesë e vendeve demokratike

0

Podgoricë – Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi ka organizuar të hënën mbrëma, në hotelin “Centre Ville”, pritje me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të korit diplomatik, Kuvendit dhe Qeverisë së Malit të Zi, pushteteve vendore, partive politike shqiptare, mediave, kulturës, shoqërisë civile etj.
Në fjalën përshëndetëse, ambasadori i ri i Shqipërisë, Ridi Kurtezi, ka thënë se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është një ngjarje vendimtare e cila u realizua si një ëndërr e të gjithë shqiptarëve përmes një procesi të gjatë, të dhimbshëm, politik dhe historik.
Ai ka theksuar se ndër vite, gjatë periudhës së pluralizmit, Shqipëria ka bërë përpjekje maksimale për të qenë pjesë e familjes së vendeve të lira demokratike.
“Ajo sot është anëtare e NATO-s, aleancës më të fuqishme politike e ushtarake, dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian, që pret hapjen e negociatave për anëtarësim”, është shprehur Kurtezi.
Ambasadori i Shqipërisë ka vijuar duke thënë se në planin diplomatik, Shqipëria ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë një politikë bashkëpunimi dhe të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit me dëshirën për të kontribuar në zhvillimin dhe prosperitetin e tij.
“Në këtë kontekst, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë një rëndësi të veçantë jo vetëm në planin dypalësh, por edhe në atë rajonal. Ato përbëjnë shembullin e suksesit në marrëdhëniet dypalëshe rajonale”, ka deklaruar Kurtezi.
Sipas tij, një kontribut të veçantë në këto marrëdhënie kanë shqiptarët që sot jetojnë në Malin e Zi, duke qenë urë lidhëse dhe e miqësisë midis dy vendeve.
“Ndihem krenar që shqiptarët kanë kontribuar në të ardhmen dhe zhvillimin e Malit të Zi, në pavarësimin e tij, në konsolidimin, në prosperitetin dhe në proceset integruese në NATO dhe BE. Dhe jam krenar që ata vazhdojnë të kontribuojnë në qeverisjen e vendit duke treguar përgjegjshmëri dhe konstruktivitet politik”, ka thënë Kurtezi.
Ai ka përfunduar duke nënvizuar se “gjithëpërfshirja dhe adresimi i të gjitha çështjeve dhe problematikeve në tryezën e dialogut do t’i shërbejë bashkëjetesës dhe forcimit të mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë”. i.k.

Share.

Leave A Reply