Po realizohen me sukses hulumtimet arkeologjike dhe punimet e konservimit

0

Ulqin – Ministri i Kulturës, Aleksandar Bogdanoviq, ka qëndruar të premten në Ulqin, ku ka vizituar Citadelën në Kala, në të cilën kanë përfunduar punimet e konservimit, dhe është takuar me krerët e Komunës së Ulqinit.
Ai ka deklaruar me këtë rast se Ulqini kultivon histori dhe traditë të gjatë dhe me vlerë, me potenciale të rëndishme në fushën e kulturës, duke filluar nga Qytetit i Vjetër deri te lokalitetet e jashtëzakonshme arkeologjike që mund të shfrytëzohen për qëllime kulturore.
Në takim me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, dhe bashkëpunëtorët e tij është folur mbi bashkëpunimin në fushën e kulturës, projektet që janë duke u realizuar, por edhe për aktivitetet e planifikuara në periudhën e ardhshme.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Kulturës theksohet se bashkëbiseduesit kanë konstatuar se janë duke u realizuar me sukses hulumtimet arkeologjike dhe punimet konservatore në lokalitetin e Kalasë së Ulqinit dhe Qytetin e Vjetër të Shasit, për të cilat Ministria e Kulturës ka planifikuar në vitin 2019 shumën prej 100 mijë euro.
I shoqëruar nga kryetari i Komunës së Ulqinit, ministri Bogdanoviq ka vizituar Citadelën në Kalanë e Ulqinit, ku janë kryer punimet e konservimit nga Qendra për Konservim dhe Arkeologji e Malit të Zi.
“Kam kënaqësi që sot kemi vizituar kryerjen e punimeve konservatore në Qytetin e Vjetër të Ulqinit, gjegjësisht në Citadelë. Bëhet fjalë për një lokalitet tejet të rëndësishëm në të cilin ka ndodhur devastimi dhe rrënimi i disa shtresave arkitektonike. Kemi realizuar masat konservatore dhe e kemi sjellë lokalitetin në gjendje të qëndrueshme, ndërsa në fazën e ardhshme do të bëjmë trajtime konservatore në të gjitha sipërfaqet nga periudha antike, veneciane dhe turke”, ka theksuar ministri Bogdanoviq.
Në takim me kryetarin e Komunës së Ulqinit është konstatuar gatishmëria që në mënyrë intensive të vazhdohet me aktivitetet në lokalitetin e Qytetit të Vjetër të Shasit, si në pjesën e gërmimeve arkeologjike, ashtu edhe në zbatimin e masave të konservimit. Lidhur me këtë, ministri i Kulturës ka nënvizuar rëndësinë e këtij lokaliteti duke thënë se për gërmimet arkeologjike në këtë lokalitet, Ministria e Kulturës ka siguruar në vazhdimësi mjete financiare dhe se vetëm gjatë disa viteve të fundit ka ndarë shumën prej 400 mijë euro për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Ulqin.
Në këtë takim është folur po ashtu edhe për nominimin e Kalasë së Ulqinit në listën e UNESCO-s duke pasur parasysh faktin se kjo e mirë kulturore gjendet në Listën tentativë, gjegjësisht në regjistrin e të mirave natyrore dhe kulturore që paraqesin prioritet shtetëror për t’u nominuar në periudhën e ardhshme. i. k.

Share.

Leave A Reply