Projekt i rëndësishëm para sezonit të ardhshëm turistik

0

Ulqin – Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Të Mirat Detare”, Predrag Jellushiq, dhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, me bashkëpunëtorët e tyre, kanë përuruar të premten përfundimin e punimeve për rregullimin e shëtitores në Pyllin e Pishave ndërmjet hotelit “Albatros” dhe ish hotelit “Galeb”. Punimet me vlerë prej 150 mijë janë financuar nga NP “Të Mirat Detare”. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka thënë se pas ndërtimit të portit të Kacemes, ky është një ndër investimet më të mëdha që “Të Mirat Detare” i kanë bërë në komunën e Ulqinit. Ai ka thënë se në takimin me drejtorin e NP “Të Mirat Detare” kanë diskutuar edhe për projekte të tjera, të cilët pritet të realizohen në të ardhmen. “Ky nuk është investimi i vetëm. Ka shumë pika për të cilat ne kemi diskutuar sot. I kemi përcaktuar disa prioritete të cilat do të shikojmë t’i realizojmë në periudhën e ardhshme”, ka thënë ai, duke shtuar se njëri ndër to është rregullimi i molit në Ranë, një projekt i cili kushton mbi 800 mijë euro. Cungu ka thënë se ndërtimi i godinës për banorët që jetojnë në mjedisin ku dikur ndodhej hoteli “Jadran” është në përfundim e sipër, me çka krijohen kushtet që këta banorë të zhvendosen në godinën e re dhe gjetjen e investitorit të ri për ndërtimin e objektit hotelerik në Sukë, pasi që NP “Të Mirat Detare” e ka anuluar kontratën me investitorin e mëparshëm për shkak të mosrealizimit të kontratës. Nga ana tjetër, drejtori i NP “Të Mirat Detare”, Predrag Jelushiq, ka thënë se rregullimi i shëtitores dhe vendosja e saj në funksion para sezonit turistik përbën një projekt të rëndësishëm. “Qëllimi i ‘Të Mirave Detare’ si ndërmarrje shoqërore me përgjegjësi është që të vazhdojë me ato aktivitete që janë para së gjithash të rëndësishme për pushtetin lokal, por gjithsesi edhe për ofertën turistike të Ulqinit”, ka theksuar ai. Jellushiq ka pranuar se deri tani janë kryer 88 për qind e punimeve në shëtitore dhe se nevojitet të përfundohet edhe ndonjë detaj në mënyrë që punimet të përfundojnë, ndërsa për rregullimin e tërësishëm të shëtitores ai ka thënë se duhet të punohet në ndonjë fazë tjetër në të ardhmen. Drejtori i NP “Të Mirat Detare” ka premtuar se kjo ndërmarrje do të jetë e përkushtuar në realizimin e aktiviteteve për revitalizimin e pyllit të pishave, Plazhit të Madh, mirëmbajtjen e pastërtisë etj. Punimet për rregullimin e shëtitores janë kryer nga ndërmarrja “Gjokiq” nga Tivari.

i.k.

Share.

Leave A Reply