Qendra e komunitetit malazez, mesazh i fuqishëm i marrëdhënieve ndërshtetërore

0

Prishtinë – Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka zhvilluar të mërkurën e kaluar një vizitë pune në Kosovë, ku ka marrë pjesë në hapjen e Qendrës për Zhvillim të komunitetit malazez në Prishtinë, është takuar me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, e cila lidh Prishtinën me Shkupin.
Duke hapur Qendrën për Zhvillim të komunitetit malazez në Prishtinë, së bashku me homologun e tij të Kosovës, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka thënë se kjo shtëpi tregon një mesazh të fortë për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Kam nder që të marrim pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për malazezët e Kosovës. Më vjen mirë që jeni në këtë prani të madhe që jep mesazhin e mirë për bashkëpunim mes dy shteteve dhe popujve. Qëllimi i kësaj qendre është i njohur dhe është urë lidhëse me vendin amë dhe kjo shërben për mirëmbajtjen e vlerave kombëtare”, tha ai, duke shtuar se kjo qendër është urë lidhëse për Kosovën dhe Malin e Zi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë me këtë rast se të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, janë në shtëpinë e tyre, edhe malazezët po ashtu dhe, Kosova do të jetë çdoherë shtëpia e të gjithëve që jetojnë këtu.
Duke theksuar lidhjet që ka Kosova me Malin e Zi, ai ka kujtuar shkrimtarin e njohur Radovan Zogoviq, i cili lartësoi edhe vlerat e shqiptarëve, por edhe si traditë, ka qenë lartësimi i vlerave të ndërsjella si fqinj.
“Historia nuk ka qenë e lehtë për popujt e Ballkanit, por ajo që sot mund ta konfirmojmë së bashku, sot jemi në dritë, paqe, jemi fqinj, por edhe aleatë”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova dhe Mali i Zi do të jenë gjithmonë aleatë.
Në ceremoninë e hapjes së Qendrës për Zhvillim të komunitetit malazez kanë marrë pjesë udhëheqës politikë, në mesin e të cilëve edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe personalitete të shquara të dy vendeve, të cilët kanë vlerësuar lart rëndësinë e aktiviteteve që do të marrin zhvillim nga kjo qendër, si për afirmimin e pozitës së komunitetit malazez në Kosovë, ashtu edhe për ndërtimin e mirëbesimit dhe marrëdhënieve ndërfqinjësore midis vendeve dhe popujve në rajon.
Më pas, gjatë takimit që kryeministri Markoviq ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë biseduar për të gjitha temat dypalëshe, duke besuar që marrëdhëniet Mali i Zi-Kosovë do të thellohen edhe më tutje për qëllimet e njëjta euroatlantike.
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, e ka përfunduar vizitën e tij njëditore në Kosovë me pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes së autostradës “Arbën Xhaferi”. (Kohapress)

Share.

Leave A Reply