Shkarkohet kryetari i Kuvendit Ranko Krivokapiq

0

Podgoricë – Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar Ligjin për zbatimin e Marrëveshjes mbi krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe fer, të ashtuquajtur Lex specialis.
Seanca e cila ka filluar të mërkurën ka zgjatur deri në orët e hershme të mëngjesit të ditës së enjte dhe është karakterizuar nga diskutimet dhe debatet e shumta.
Miratimi i këtij ligji ka qenë kusht i opozitës për të hyrë në qeveri.
Kuvendi ka miratuar edhe ndryshimet në qeveri. Kështu nënkryetar i Qeverisë nga radhët e opozitës do të jetë Milorad Vujoviq, kurse nga PDS-ja Petar Ivanoviq. Ministër i Punëve të Brendshme është zgjedhur Goran Danilloviq, ministër i Financave Rashko Konjeviq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale Boris Mariq dhe ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milenko Popoviq.
Kuvendi ka miratuar po ashtu propozimin e shumicës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, i cili ka qenë 13 vjet në krye të këtij institucioni. Për shkarkimin e tij kanë votuar 43 deputetë të PDS-së, Malit të Zi Pozitiv, Socialdemokratëve të Malit të Zi, Forcës së Re Demokratike, Iniciativës Qytetare Kroate dhe Partisë Liberale, një votë ka qenë kundër, ndërsa 18 vota të pavlefshme. Në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e PSD-së, Demos-it, Lëvizjes Qytetare URA dhe deputeti i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj.
Ndër detyrat kryesore të qeverisë së re është krijimi i kushteve për zgjedhje parlamentare të lira, fer dhe demokratike, të cilat do të mbahen më 9 tetor të këtij viti.

(Kohapress)

Share.

Leave A Reply