Shkëmbim i bashkëpunimit në fusha të ndryshme

0

Ulqin – Një delegacion i Komunës së Prishtinës në krye me kryetarin, Shpend Ahmeti, ka vizituar të mërkurën e kaluar Komunën e Ulqinit, ku është pritur nga kryetari Nazif Cungu me bashkëpunëtorët e tij.
Sipas njoftimit nga zyra e kryetarit të Komunës së Ulqinit, gjatë takimit miqësor të dy kryetarët potencuan se Ulqini dhe Prishtina përherë kanë pasur lidhje fisnore, emocionale dhe lidhje të tjera, andaj është koha që të fillojnë bashkëpunimin me hapa konkretë, pasi që të dy qytetet edhe përkundrejt dallimit në madhësinë e territorit dhe numrit të banorëve kanë se çfarë të shkëmbejnë.
Në takim janë prekur çështje nga fusha të ndryshme, por sidomos nga procesi i legalizimit të objekteve, me ç’rast dy palët u morën vesh që një ekip i Sekretariatit për Urbanizëm nga Komuna e Ulqinit ta vizitojë Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës dhe të njoftohet për së afërmi me rrjedhat e këtij procesi, ndërsa më pas ekspertë të kësaj Drejtorie të vijnë në Ulqin dhe të propozojnë masa konkrete për problemet që paraqiten në terren.
Mysafirët nga Prishtina shprehën gatishmëri që ta ndihmojnë Ulqinin, edhe në përvojat që kanë në të ashtuquajturat shkollat profesionale, që të rinjve u mundësojnë punësim më të shpejtë.
Krahas kësaj, në takim është folur edhe për shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit ekonomik, sidomos me përfaqësuesit e biznesit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se përveç lidhjeve kulturore, kombëtare, shoqërore e familjare, që tashmë ekzistojnë, të dy komunat po krijojnë edhe bashkëpunim institucional në mes veti.
Ai foli në veçanti edhe për bashkëpunimin ekonomik, me ç’rast u fol për pjesëmarrjen e prodhuesve dhe afaristëve ulqinakë në panaire në Prishtinë, promovimin e turizmit, si dhe promovimin e produkteve dhe prodhuesve kosovarë në tregun malazias në përgjithësi, por edhe në Ulqin në veçanti e sidomos gjatë sezonit turistik.
(Kohapress)

Share.

Leave A Reply