Synohet aktivizimi i të rinjve në gara të ndryshme

0

Tuz – Udhëheqësit e Komunës së Tuzit, kanë pritur në takim, koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Z. Rexhep Hotin, i shoqëruar nga zv/ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Z. Azem Guri dhe nga bashkëpunëtorë të tjerë.
Sipas sekretarit të Sekretariatit për Kulturë dhe Sport në Komunën e Tuzit, Z. Samir Axhoviq, qëllimi i kësaj vizite konsistoi në mundësinë e implementimit edhe në Tuz, të programit nacional ndërshtetëror për të rinj të të gjitha komuniteteve i cili iu mundëson atyre përfshirjen në gara në disa fusha.
“Ata na prezantuan programin nacional të Republikës së Kosovës për rini i cili njëherësh është dhe program ndërkombëtar. Bëhet fjalë për garat të cilat organizohen në Kosovë në tre fusha. Njëra ka të bëjë me garat në hartimin e eseve, e dyta për garat në shkencat natyrore dhe e treta për garat sportive. Qëllimi i tyre është që t’i kyçin të rinjtë e të gjitha komunave ku jetojnë shqiptarët, që t’i organizojnë këto gara jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe në Mal të Zi, në trevat ku jetojnë shqiptarët, por jo vetëm. Ata gjatë takimit me ne, propozuan që t’u japim hapësirë në këtë kuadër edhe boshnjakëve, që përveç gjuhës shqipe, ky program të zhvillohet edhe në gjuhën malazeze”, u shpreh Axhoviq.
Ai vuri në dukje se gjatë këtij takimi u tha se serbët për herë të parë janë të interesuar të marrin pjesë në këtë program për të rinj.
“Ne si komunë e pëlqyem tejmase këtë program. Zyrtari, Rexhep Hoti gjatë takimit theksoi se ky program ka filluar të implementohet në Kosovë, mirëpo që edhe te ne të ndodh kjo gjë, na nevojiten financat të cilët na mungojnë në këtë drejtim. Megjithatë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës premtuan se ata do t’i sigurojnë mjetet financiare për këtë qëllim për komunën e Tuzit, por dhe për komunën e Plavës, Gucisë dhe Rozhajës”, u shpreh Axhoviq.
Për Axhoviqin, koncepti i një programi të tillë, shërben si model për Sekretariatin për Kulturë dhe Sport të Komunës së Tuzit, për faktin se ky sekretariat është themeluar vetëm pak kohë më parë dhe programe të tilla kontribuojnë në planin zhvillimor të veprimtarisë së këtij dikasteri në fushën e kulturës dhe sportit.
Zyrtarët në fjalë, kanë vazhduar vizitën e tyre edhe në Komunën e Ulqinit. t. u.

Share.

Leave A Reply