Takim me përfaqësuesit e partive politike shqiptare, por edhe me stafin punëdrejtues të Komunës së Plavës

0

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në marrëveshje dhe koordinim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë të organeve relevante të Shqipërisë dhe subjekteve politike kombëtare shqiptare që veprojnë në Mal të Zi, organizoi takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Z. Ditmir Bushati, që u mbajt të enjten më 29 nëntor, në ambientet ee Zyrës koordinuese të subjekteve politike shqiptare për Plavë, Guci e Rozhajë, me seli në Plavë.
Në zyrën koordinuese në fjalë, në të cilën sipas planit të punës së takimit, ishin të pranishëm: kryetari i Forcës në Mal të Zi Z. Nazif Cungu, kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare në Mal të Zi Z. Nikollë Camaj, kryetari i Alternativës Shqiptare në Mal të Zi Z. Nikë Gjeloshaj dhe kryetari i Partisë Demokratike në Mal të Zi Z. Fatmir Gjeka, kryetarët e tri degëve të partive politike kombëtare shqiptare në Plavë e Guci, Fadil Ulaj, Bujar Hasangjekaj dhe Ibër Hoti, gjashtë këshilltarët shqiptarë në Kuvendin e Komunës së Gucisë, këshilltari i vetëm shqiptar në Kuvendin e Komunës së Plavës, si dhe ca aktiviste e veprimtarë të tjerë të ftuar.
Mysafirët e lartë dhe të nderuar nga Shqipëria, Ministrin e Punëve të Jashtme, Z. Ditmir Bushati me bashkëpunëtorë, të shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi Z. Ridi Kurtezi dhe kryetari i Bashkësisë së Malësisë së Madhe Z. Tonin Marinaj, në pamundësi për pjesëmarrje në takim me përfaqësuesit e Këshillit të Evropës të Konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, takim ky, në të cilin u raportua për situatën e gjithanshme të shqiptarëve në Mal të Zi, e siç u tha në takim, edhe për incidentin e fundit të ndodhur në Ulqin, lidhur me marrjen në pyetje të një qytetari, për shkak të shpalosjes së flamurit kombëtar shqiptar, me rastin e 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit, në emër të Këshillit Kombëtar Shqiptar, i përshëndeti dhe u uroi mirëseardhje, nënkryetari i KKSH-së Z. Ibër Hoti.
Në bisedat e sinqerta, koncize, analitike dhe konstruktive, përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare të të dy niveleve, Ministrin Bushati e njoftuan me të dhëna të bollshme që kishin të bëjnë me gjendjen dhe situatën gjithëpërfshirëse të popullatës shqiptare në Mal të Zi, por edhe me kërkesat, hallet dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen në jetën e përditshme.
Në prononcimin e vet, Ministri Bushati shkurt dhe në mënyrë koncize u deklarua, por edhe u zotua se kërkesat e bashkëbiseduesve gjithsesi do të merren parasysh dhe për shqyrtim dhe do t’u parashtrohen zgjidhje të mundshme instancave relevante të shtetit.
“Marrëdhëniet e mira tradicionale fqinjësore dhe miqësore në mes të Komunës së Plavës dhe komunave shqiptare në Veri të Shqipërisë, paraqesin bazë të mirë dhe të shëndoshë të zhvillimit të mëtejmë të bashkëpunimit përtejkufitar të komunave, në sferat e infrastrukturës, turizmit dhe bujqësisë”, është konkluduar në takimin e stafit punëdrejtues të Komunës së Plavës me delegacionin e lartë të Republikës së Shqipërisë në krye me Ministrin e Punëve të Jashtme Z. Ditmir Bushati, të mbajtur të enjten, më 29 nëntor.
Duke shprehur falënderim dhe kënaqësi të madhe për vizitën e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë, kryetari i Komunës së Plavës Z. Mirsad Bajraktareviq, në fjalën e rastit, mysafirët i njoftoi me nxitjet dhe provokimet me të cilat ballafaqohen administrata lokale, duke u përqendruar posaçërisht më projektet të cilat do t’i kontribuojnë lidhjes më të mirë infrastrukturore me shtetet fqinje.
Duke u falënderuar për mikpritjen e përzemërt dhe vërtetë bujare, Ministri Bushati ndër të tjera ka theksuar se në të ardhmen duhet kushtuar kujdes shtesë mundësive të cilat i ofrojnë IPA programet e bashkëpunimit përtejkufitar të cilat në mënyrë afirmative kontribuojnë në bashkëpunimin e ndërsjellë të komunave të shteteve fqinje.
Në takimin zyrtar, me përfaqësuesit eminent të Shqipërisë, kanë marrë pjesë edhe kryetari i KK të Plavës Z. Shefket Jevriq, nënkryetarët e komunës, dr. Bllazho Stijoviq e Nihad Canoviq, kurse nga ana shqiptare, Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Z. Ridi Kurtezi dhe kryetari i Bashkësisë së Malësisë së Madhe Z. Tonin Marinaj. Shaban Hasangjekaj

Share.

Leave A Reply