Theksohet nevoja e angazhimit të shqiptarëve në polici

0

Tuz – Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka pritur në takim kryetarin e Këshillit për Kontrollin Civil të Punës së Policisë, mr.sci. Aleksandar Sasha Zekoviq, njoftohet nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Komunës së Tuzit.
Në këtë takim është biseduar per sigurinë e qytetarëve të Tuzit, komunikimin dhe bashkëpunimin e komunës së Tuzit me Drejtorinë e policisë, respektimin e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore të qytetarëve të Tuzit kur është fjala për sjelljen e policisë, zbatimin e kompetencave policore dhe për bashkëpunimin e mundshëm të Këshillit dhe komunës së Tuzit.
“Bashkërisht është vlerësuar nevoja që të vazhdohet me aktivitete lidhur me pjesëmarrjen efikase të banorëve lokalë, në veçanti te shqiptarëve në përbërjen dhe punën e policisë e që është në pajtim me standardet vendase dhe ato ndërkombëtare. Në këtë drejtim është theksuar nevoja në mbështetje të shkollimit në vazhdimësi të pjesëtarëve shqiptarë dhe pakicave të tjera të cilët janë të kualifikuar për punë në polici dhe për punët tjera të sigurisë”, thekson komunikata për opinion.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka vlerësuar rekomandimet e këtij këshilli që komuna e Tuzit të inkurajojë interesimin e të rinjve nga treva e Malësisë për arsimimin policor dhe punën në polici, përmes programit motivues të bursimit.
Në të njëjtën kohë, nga ky këshill, kanë rikujtuar se shteti i Malit të Zi, ka siguruar masa të ndryshme të aksionit afirmativ për pjesëtarët e pakicave.
“Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka theksuar raportin korrekt me udhëheqësit policorë, duke shtuar se qytetarët vlerësojnë sjelljen e policisë në qendrën urbane të komunës. Gjithashtu, është biseduar edhe për mundësitë e avancimit të mëtejshëm të komunikimit ndërmjet banorëve lokalë dhe Drejtorisë së policisë, në veçanti, në zonat kufitare, në mënyrë që edhe atje të përmirësohet gjendja për rritjen e angazhimit në punën e policisë kufitare të banorëve shqipfolës”, thuhet në mes tjerash në këtë komunikatë.
Të dyja palët kanë shprehur besimin se puna e shërbimit policor në Tuz do të rregullohet në pajtim me zgjidhjet e vlefshme për të gjitha komunat e pavarura në Mal të Zi.
Këshilli për Kontrollin Civil të Punës së Policisë është forum i pavarur profesional i cili në emër të qytetarëve të Malit të Zi e në pajtim me Ligjin për punët e brendshme, përcjell dhe vlerëson zbatimin e kompetencave të policisë. t. u.

Share.

Leave A Reply