Themelohet Organizata Turistike e Tuzit

0

Tuz – Me propozim të Sekretariatit për Financa, të Ardhura Lokale dhe Investime të Komunës së Tuzit, kuvendi komunal ka miratuar këtë Propozim të Vendimit, me të cilin është themeluar Organizata Turistike e Tuzit.
Ushtruesi i detyrës së Sekretariatit për Financa, të Ardhura Lokale dhe Investime në Komunën e Tuzit, Emin Haxhi, në prononcimin për gazetën “Koha Javore”, tha se ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj OT-je, do ta emërojë kryetari i Komunës së Tuzit në afatin dymujor.
“Ushtruesi i detyrës së kësaj organizate deri në shpalljen e konkursit për drejtor, do të përgatisë draft-statutin e kësaj organizate, e më pas kuvendi i Komunës së Tuzit do të propozojë anëtarët për kuvendin e Organizatës Turistike. Në këtë kuvend, përveç përfaqësuesve të kuvendit komunal të Tuzit do të jenë të përfaqësuara edhe subjektet afariste nga territori i Komunës së Tuzit”, u shpreh Haxhi.
Ai tha se përfaqësuesit e Kuvendit komunal dhe të subjekteve afariste do të emërojnë Bordin drejtues të kësaj organizate e cila do të shpallë edhe konkursin për drejtor.
“Ne për buxhetin 2019 i kemi planifikuar edhe mjetet financiare për fillimin e punës së OT-së së Tuzit. Meqenëse themelimi i kësaj organizate është risi për ne, pasiqë deri më tani ka munguar në Tuz, besoj se kjo do të sjellë të mira pozitive edhe për trevën tonë, sepse do të brendohemi si komunë, pastaj shpresoj se dhe stafi drejtues i saj do të sjellë projekte, ide dhe bashkëpunime, pasi mundësitë për funksionimin e saj janë të shumta”, teksoi Haxhi.
Haxhi shtoi se vetëm në vitin e parë, pra këtë vit do të sigurohen mjetet financiare nga buxheti për themelimin e OT-së, pastaj siç tha ai, duhet punuar dhe krijuar kushtet optimale që ajo në vitet në vijim të vetëfinancohet nga taksat dhe të ardhurat e tjera.
“Ka shumë subjekte që deri tani, taksat dhe anëtarësimin ua kanë paguar Organizatës Turistike të Podgoricës, por me marrjen e këtij vendimi, ato të holla do të derdhen në arkën e OT-së së Tuzit me të cilat do të menaxhojë dhe si e tillë, me buxhet të vet do të arrijë sukses. Besoj se zyra e Organizatës Turistike do të sigurohet në qendër të Tuzit për të qenë më afër turistëve të cilët kalojnë këtu dita- ditës ”, tha Haxhi.
Në përfundim të prononcimit të tij, Haxhi pohoi se në lëmin e turizmit, kur bëhet fjalë për Tuzin, është punuar shumë pak.

t. u.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “844” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply