U miratua Llogaria përfundimtare e Buxhetit të komunës për vitin 2018

0

Guci – Në vazhdimin e punës së seancës, 27 këshilltarët e pranishëm, prej 30 sish sa numëron Kuvendi, shqyrtuan dhe miratuan tri pikat e mbetura të rendit të ditës prej gjithsej 23 sosh sa u miratuan në fillimin e punës së seancës.
Kryetarja e Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, kronologjikisht prezantoi Raportin mbi punën e saj dhe të organeve të administratës lokale të Komunës së Gucisë për vitin 2018.
Ajo ka thënë se Raporti i punës në mënyrë koncize, cilësore dhe gjithëpërfshirëse jep pasqyrën e aktiviteteve dhe punës si të kryetares së komunës, ashtu edhe të organeve të qeverisjes lokale.
Sipas Çekiq, “raporti përmban informatat më relevante për punën e kryetares së Komunës së Gucisë dhe punën e organeve lokale të kësaj komune, të cilat përmes raporteve për punën e tyre kanë bërë një kryqëzim të detyrave, masave, investimeve dhe aktiviteteve të nevojshme të mëtutjeshme për avancimin e punës së administrimit lokal”.
Ajo ka vijuar duke thënë se “përmes këtij raporti, në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse mund të shikohet funksionimi i administratës lokale në të gjitha segmentet e tij: Raporti përmban informata dhe të dhëna të bashkuara për punën e kryetares së komunës, detyrave të realizuara dhe aktiviteteve të organeve lokale në vitin 2018. Investimet e realizuara dhe të nisura që rrjedhin nga planet dhe dokumentet lokale strategjike dhe shtetërore”.
Kryetarja Çekiq ka theksuar se puna e saj ka qenë e orientuar në realizimin e punëve në kuadër të funksionit normativ, ekzekutiv, mbikqyrës, organizativ dhe protokollar.
Në kuadër të punëve normative, kryetarja e komunës në periudhën raportuese e ka drejtuar dhe harmonizuar punën e organeve dhe shërbimeve për realizimin më efikas të funksionimit të tyre dhe ofrimit të shërbimeve publike më cilësore, për çka ka miratuar aktet e përshtatshme: vendime, udhëzime, rregullore, urdhra, aktvendime dhe përfundime në përputhje me nenin 86 të Statutit të Komunës së Gucisë. Ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në planifikimin dhe hartimin e vendimit për buxhetin e Komunës së Gucisë për vitin 2018, në shumë prej 1.199.550 euro.
Ajo kronologjikisht ka elaboruar edhe për punën e organeve të qeverisjes lokale.
Në debatin përkitazi me raportin e parashtruar, me diskutimet e veta kanë marrë pjesë këshilltarët: Shaban Prelvukaj (LDSH), Fahrudin Dervisheviq (PPG), Mihaillo Jovoviq (PPS), Ahmet Delanin (SD), Sherif Feratoviq (PDS), të cilët kanë dhënë vërejtje, kritika dhe sugjerime. Raporti është miratuar me 20 vota “për” dhe 7 “kundër”.
Propozimin e vendimit për Llogarinë përfundimtare të Buxhetit të Komunës së Gucisë për vitin 2018 e ka argumentuar sekretari për ekonomi, zhvillim dhe financa Admir Mullamekiq, i cili ka konfirmuar se buxheti për vitin 2018 është planifikuar në shumë prej 1.199.550 eurosh. Të hyrat janë realizuar në shumë prej 925.945,33 euro ose 77,19%. Të hyrat janë planifikuar në përputhje me dinamikën e arkëtimit dhe planit të përcaktuar, ku prioritet u është dhënë detyrimeve në lidhje me punën e administratës lokale, kuvendit dhe përfituesve të tjerë, të cilët financohen drejtpërdrejt nga buxheti. Auditimi është kryer nga një kompani e pavarur e auditimit, shoqëria e auditimit dhe Sh.P.K. “Reviko” – Podgoricë.
Në debatin për Llogarinë përfundimtare të buxhetit për vitin 2018, kanë marrë pjesë këshilltarët: Fahrudin Dervisheviq, Shaban Prelvukaj, Ahmet Delanin, Edin Mulliq, Dr. Ellvis Omeragiq dhe Sherif Feratoviq. Llogaria u miratua me 21 vota “për” dhe 6 “kundër”. Sh. Hasangjekaj

Share.

Leave A Reply