Vlerësohen marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimi rajonal

0

Budva – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kanë marrë pjesë të shtunën në ceremonitë me rastin e kremtimit të 10-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi.
Në kuadër të këtyre ceremonive, ata kanë zhvilluar takime dypalëshe me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq, të cilin e kanë uruar për përvjetorin si dhe për arritjet e përgjithshme të Malit të Zi në agjendën euroatlantike.
Në njoftimin për media të Presidencës së Republikës së Shqipërisë thuhet se Nishani vlerësoi marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe e siguroi Presidentin Vujanoviq për angazhimin e plotë e të sinqertë të Shqipërisë në promovimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë.
“Jam këtu për të shprehur urimet më të mira dhe të sinqerta të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për ju dhe të gjithë qytetarët e Malit të Zi, në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm të pavarësisë, si dhe t’ju përgëzoj për finalizimin e procesit të integrimit në NATO, të cilin e shoh si një kontribut për të gjithë rajonin tonë”, është shprehur Nishani.
Ai ka vlerësuar gjithashtu edhe rolin shumë domethënës të shqiptarëve në Mal të Zi, duke i konsideruar ata një urë lidhëse të fuqishme miqësie mes dy vendeve.
Ndërkaq në takim me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është konstatuar avancimi konstant i marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, me mundësi të zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.
Sipas njoftimit për media të Presidencës së Malit të Zi, Vujanoviq ka shprehur respekt për avancimin e pozitës së pakicës malazeze në Kosovë.
Bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për bashkëpunimin rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit në frymën e fqinjësisë së mirë e të bashkëpunimit.
Krahas presidentëve të Shqipërisë dhe Malit të Zi, në ceremonitë shtetërore të kremtimit të 10-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi kanë marrë pjesë edhe Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, si dhe shumë liderë dhe autoritete të tjera nga rajoni dhe Evropa.
Mali i Zi e ka fituar pavarësinë në referendumin e zhvilluar më 21 maj 2006, ku mbi 55 për qind e popullsisë kanë votuar për shkëputje nga Serbia.

(Kohapress)

Share.

Leave A Reply