Zhvillimi i Ulqinit i rëndësishëm për zhvillimin e tërë vendit

0

Ulqin – Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka vlerësuar se Ulqini është hapësira ku mund të tregohet shumë shpejt dhe qartë se në çfarë drejtimi duhet të shkojë Mali i Zi kur bëhet fjalë për zhvillimin shtetëror.
“Zhvillimi i Ulqinit në mënyrë të duhur dhe të qëndrueshme është i rëndësishëm për zhvillimin e tërë Malit të Zi. Nëse arrijmë të implementojmë planin, Ulqini shumë shpejt mund të bëhet komuna më e pasur në Mal të Zi”, ka deklaruar ai gjatë vizitës të hënën në Ulqin, në takim me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, dhe kryetarin e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq.
Në takim kanë marrë pjesë edhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Mehmed Zenka, dhe nënkryetarët e Komunës së Ulqinit, Hadixha Gjoni, Arian Murati dhe Vaso Radoviq.
Në përfundim të vizitës së tij, kryeministri Dushko Markoviq ka deklaruar se qëllimi i vizitës së tij është që Qeveria dhe Komuna e Ulqinit të definojnë së bashku prioritetet e perspektivës zhvillimore.
“Komuna e Ulqinit ka bërë çdo gjë që i përket dhe vërtet jam i befasuar pozitivisht me nivelin e përgatitjeve të projekteve që duhet të nxisin së shpejti në Ulqin zhvillimin e infrastrukturës, e paralelisht me këtë edhe projektet që do të avancojnë edhe ofertën turistike të Ulqinit. Jam i sigurt se shumë shpejt në Ulqin do të kemi projekte që do të avancojnë potencialin tonë turistik, do të kontribuojnë në cilësinë e re të jetës në Ulqin dhe punësimet e reja”, është shprehur ai.
Me rëndësi të veçantë, Markoviq ka nënvizuar faktin se investitorë seriozë dhe të besueshëm tregojnë interesim për ndërtimin e hoteleve të kategorisë së lartë në Ulqin.
Ai ka premtuar se në buxhetin e qeverisë për vitin e ardhshëm do të parashihet realizimi i projektit të vazhdimit të Bulevardit „Nëna Terezë“ dhe lidhja me Bulevardin Teuta, për të cilin projekti është hartuar vite më parë.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka thënë se janë marrë vesh me qeverinë për vazhdimin e projekteve infrastrukturore dhe zhvillimore prioritare.
Ai ka deklaruar se pret daljen nga plani i sanimit, në të cilin ndodhet Komuna e Ulqinit për shkak të problemeve financiare, dhe fillimin e zhvillimit të madh të Ulqinit.
Cungu ka theksuar se e ka njoftuar kryeministrin e Malit të Zi mbi projektet për rregullimin e sistemit të kanalizimit për katër vendbanime në Ulqin.
“Dokumentacioni është tërësisht gati, do të hapet tenderi dhe shpresoj se do të fillojë me realizimin deri në fund të vitit. Së dyti, i kemi të siguruara mjetet financiare për furnizimin me ujë, dokumentacioni projektues është në fazën përfundimtare dhe presim që deri në fund të vitit të hapet tenderi”, ka thënë ai, duke përmendur edhe investimet që po bëhen nga Sistemi i Elektroshpërndarjes i Malit të Zi (CEDIS) në përmërësimin e rrjetit të energjisë elektrike.
Gjatë qëndrimit të tij në Ulqin, kryeministri Dushko Markoviq ka vizituar dy kompanit të suksesshme në këtë komunë – Fabrikën e Mobiljeve “Tapacir Kurti” dhe Fabrikën e Dyshekëve “Faff&Co“, si prodhues dhe eksportues të rëndësishëm që dëshirojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre.
Ai është njohur nga pronarët e këtyre kompanive me historikun e tyre dhe planet zhvillimore në të ardhmen.
„Ata janë afaristë dhe individë pas të cilëve do të qëndrojë qeveria, të cilët qeveria do t’i mbështesë dhe nxisë në idetë e reja dhe do t’i fuqizojë në ambiciet e tyre zhvillimore“, ka thënë Markoviq.
Kryeministri i Malit të Zi e ka përfunduar vizitën e tij në Ulqin me vizitën në Krythë të Anës së Malit, ku po kryhen punimet në rikonstruktimin e segmentit rrugor Krythë-Ulqin, pjesë e rrugës magjistrale Ulqin – Sukubinë. i. k.

Share.

Leave A Reply