Besëlidhja për të shpëtuar kombin

0

Ishte 10 Qershori i vitit 1878 kur është mbajtur Kuvendi Kombëtar në Prizren, ku u përfaqësuan të gjitha krahinat e Atdheut, me qëllim, sipas fjalëve të Abdyl Frashrit, “Që t’u presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, ka thënë ndër të tjera, Abdyl Frashëri

Për Koha Javore: Frank Shkreli

Aty u vendos njëzëri themelimi i “Lidhjes Shqiptare”, si organizata e vetme kombëtare shqiptare, objektivi i të cilës do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve në luftën për të mbrojtur territoret autoktone shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare të të gjithë Shqiptarëve. Një Komitet Qendror u krijua për të drejtuar Lidhjen e Prizrenit, ndërkohë që u morën vendime me rëndësi historike për Kombin dhe i cili do të ushtronte kontroll mbi të gjitha degët e tija. Ky Komitet, si institucioni përfaqësues më i lartë i Lidhjes së Prizrenit, kishte një përfaqësi mbarëkombëtare 47- antarëshe nga të gjitha trevat shqiptare.
Qershori i vitit 1878 ishte muaji i Lidhjes së Prizrenit, por edhe i memorandumeve, peticioneve që hartuan shqiptarët në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare dhe të tërësisë tokësore, por edhe i protestave të organizuara anembanë trojeve shqiptare. Në një memorandum të datës 13 qershor, 1878, shkodranët i shkruajnë, ndër të tjera, kryeministrit britanik të asaj kohe, Lordit Beaconsfield: “… Ashtu si nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që do të dëshironte të na bënte sllavë, ose austriakë ose grekë… Ky karakter kombëtar që nuk është përgënjeshtruar kurrë dhe që ka luftuar ngadhënjimisht kundër egërsisë osmane për më shumë se katër shekuj, nuk mund dhe nuk duhet të zhduket tani në këtë shekull qytetërimi nga dora e aeropagut evropian…”.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “868” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply