Dualitet

0

Pikëpamjet të tilla dualiste mbi jetën konsideroheshin të vërteta dhe deri vonë, mbizotëronin. Sot njerëzit mendojnë se Jeta, ose çfarëdo që e quajmë atë që jemi dhe ndjejmë, është gjë e pashpjegueshme. Mjegullimi në mendje na pengon të shohim mrekullinë e qenies sonë, dhe mahnitemi vetëm nga disa prej ndryshimeve të saj të përkohshme. Por ç’janë ndryshimet e perandorive, rrënojat e dinastive, dhe përmbysja e tiranive me idetë që i mbështetën ato, krahasuar me jetën? Çfarë është lindja dhe zhdukja e sistemeve politike, shoqërore e fetare në krahasim me jetën? Çfarë janë revolucionet në botën në të ciliën jetojmë dhe veprimet e elementëve që i përbëjnë, krahasuar me jetën? Çfarë është Universi i yjeve dhe dielleve, nga të cilat kjo tokë e banuar mbahet në ekuilibër, krahasuar me jetën?

Për Koha Javore: Astrit Lulushi

Mendimet dhe ndjenjat lindin, me ose pa vullnetin tonë, dhe ne përdorim fjalë për t’i shprehur ato. Që në fillim të jetës së tij, njeriu pllakoset nga harresa. Ne jemi të lindur, por nuk e mbajmë mend atë. Foshnjërinë, gjithashtu. Fëmijërinë e herëshme e kujtojmë vetëm në fragmente; dhe jetojmë, duke humbur kuptimin e jetës. Sa e kotë është të mendosh se fjalët mund të depërtojnë misterin e qenies njerëzore; duke i përdorur, ato vetëm mund ta bëjnë më të dukshme injorancën tonë. A është lindja fillimi? Apo është vdekja përfundimi i qenies sonë?
Trupi është prishës dhe shpirti është i pavdekshëm- me këto ide janë marrë Pitagora, Sokrati dhe Platoni. Jeta në Tokë është vetëm një imitim i papërsosur i jetës ideale në qiell, thonin ata. Krijuesi, Zoti, Natyra, ose si të duash quaje, mund të shfaqet mes njerëzve vetëm nëpërmjet dijes dhe arsyes. Rasti i natyrës njerëzore, me një trup që prishet dhe një shpirt të padukshëm, e ka bërë të pamundur identifikimin e një kuptimi të vetëm të jetës.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “867” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply