E zeza e së kuqes

0

Javën e kaluar, shqiptarët festuan ditën më të rëndësishme të kombit të tyre në historinë botërore të kombeve. Mund të quhet lirisht dita e kuqe e kombit shqiptar, data kur ishte shmangur gllabërimi total i tokës dhe njeriut të kësaj toke. Por, në Ulqin, e kuqja u mbyll në të zezë. Një qytetar shqiptar ishte gjobitur për prishje të rendit dhe qetësisë publike, ngase në atë datë në veturën e tij po valëviste dy flamuj të vegjël me simbolin e tij kombëtar

Argëzon Sulejmani

E kuqja si ngjyrë, simbolikë apo jetë është e pashmangshme në ditët e secilit. Është thënë shumë, është shkruar gjatë dhe është prezantuar po kaq bollshëm qëllimi dhe efekti i së kuqes. Pajtohemi që jeta mund të përshkruhet me të gjitha trajtat përmes të gjitha ngjyrave ose po kaq tërësishëm përmes nuancave të secilës ngjyrë veçanërisht. Kësisoj, e kuqja nga opusi i tërë kolorit apo e kuqja e secilës ngjyrë veçantisht ngjyron, simbolizon, jetëson energjinë më kulmore të cilësdo prej ndjenjave më pozitive njerëzore. Siç ngjyrat kanë të kuqen, ashtu dhe e kuqja i ka të gjitha ngjyrat. Dhe e zeza e ka te kuqen e vet të bukur që mund ta dallojë, ta zëmë, syri i mësuar me fotografinë bardhë e zi. Njëjtë, e kuqja ka të mbylltën, të zezën e vet që mund ta dallojë, ta zëmë, syri i zemrës që vendos buqetën me trëndafila të mbyllët.
Veçse kolorite e simbolike, ngjyrat janë jetë. Piktori i famshëm shqiptar nga Kërçova, me banim në Francë, Omer Kaleshi, i njohur për pikturat e tij impozante me në qendër kokat pa veshë (Leonardo: sytë janë më të rëndësishëm se veshët), me motive nga njeriu i vendlindjes së tij, kishte pohuar në një intervistë që e kuqja është ngjyra e preferuar e tablove të tij. Jo vetëm kaq, në të njëjtin tregim ai kishte goditur me rrëfimin për të kuqen e veçantë, për të kuqen e gjallë, në një rast kur profesori i arteve iu kishte kërkuar studentëve të tij ta kërkojnë e gjejnë atë dhe ta sjellin në atelie. Piktori, për ta gjetur të kuqen e veçantë, siç kërkonte profesori i lëndës, kishte shkuar në thertore dhe atje kishte mbushur një enë me gjak të vërtetë, të cilin më pas e kishte çuar në atelie, në dollapin e tij. Pas disa ditësh gjakut kishte nisur t’i vinte era. Profesori dhe kolegët ishin qeshur pafund kur kishin hapur dollapët dhe kishin gjetur atë gjënë e gjallë, të kuqen e rëndë kundërmuese.
Javën e kaluar, shqiptarët festuan ditën më të rëndësishme të kombit të tyre në historinë botërore të kombeve. Mund të quhet lirisht dita e kuqe e kombit shqiptar, data kur ishte shmangur gllabërimi total i tokës dhe njeriut të kësaj toke. Por, në Ulqin, e kuqja u mbyll në të zezë. Një qytetar shqiptar ishte gjobitur për prishje të rendit dhe qetësisë publike, ngase në atë datë në veturën e tij po valëviste dy flamuj të vegjël me simbolin e tij kombëtar. Ndryshe, shqiptarët autoktonë në Malin e Zi e kanë të ndaluar me ligj shfaqjen e simbolit kombëtar në ambiente publike. Turp e kërcënim për secilin, sepse kanosja diku është filiz i shtypjes kudo. Është stërthënë e tepruar se ku nisë e mbaron liria e secilit dhe të besosh që në shekullin XXI ende as kaq leksion nuk kemi marrë është kundërrevolucion.
Flamujt tanë, ka rastisur(!?), që të dominohen nga e kuqja. Siç u tha më sipër, edhe e kuqja e ka të mbylltën e vet. Ne duhet të jemi koshientë për të zezat e tyre, por kjo nuk duhet të na nxijë rrugën deri në verbërim. Droja që ekspozimi i lirisë sime mund të kanosë një të dytë tregon logjikën konfliktuoze të të tretit. Në kësisoj ambienti, liria por dhe robëria janë embrione tumorozë ose demonë qesharakë. Kushdo që jeton me mendimin se lufta është gati, duhet ta dijë që paqja është afër. Për këtë, do të duhej shprehur troç se cilës pjesë ia ka drojën më shumë.
Ballkani vazhdon të mbetet ena që mban të zezën e së kuqes së veçantë. Europa vazhdon të luajë hapa-dollapa si dhe rolin e dollapit të ateliesë që fshehë enën. Hapja e këtij dollapi herëdokurë do qelbë e do gajasë deri në të vjella.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “843” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply