Gjuha shqipe në Komunën e Ulqinit, e papërdorshme dhe restriktive

0

Në Komunën e Ulqinit, në të cilën nga numri i përgjithshëm i popullsisë, përafërsisht 75 për qind e banorëve janë me përkatësi kombëtare shqiptare, komunikimi zyrtar i qytetarit me organet zyrtare, në pothuaj të gjitha organet e administratës publike dhe gjyqësore me disa përjashtime të vogla zhvillohet, vetëm në gjuhën malazeze, ndërkaq gjuha e vetme komunikuese ndërmjet organeve dhe institucioneve të lartpërmendura është vetëm gjuha malazeze, përkundër faktit se në bazë të nenit 17 të Statutit të Komunës së Ulqinit gjuhë zyrtare, në mënyrë të barabartë është edhe gjuha shqipe

Hajrullah Hajdari

(vijon nga numri i kaluar)
Lidhur më këtë çështje, në fundvitin 2008 Mali i Zi aprovoi Strategjinë mbi politikën e pakicave, e projektuar për afatin kohor dhjetëvjeçar, në të cilën janë përfshirë disa fusha prioritare të veprimit për mbrojtjen, realizimin dhe avancimin e të drejtave të popujve pakicë, në të cilat duhet të bazohet intervenimi ligjor i shtetit. Kështu në pikën 3 të Strategjisë në fjalë përmenden të drejtat procesuale të pakicave, siç janë përdorimi i gjuhës dhe i shkrimit para organeve gjyqësore dhe organeve të tjera në mjediset me pjesëmarrje të konsiderueshme në popullatën e përgjithshme, të drejtën e informimit në gjuhën e vet në kuadër të shërbimeve radio-difuzive publike dhe të shtypit, si edhe të drejta të tjera, jo më pak të rëndësishme, të cilat do të shqyrtohen ndonjëherë tjetër. Kjo do thotë se bazuar në Strategjinë e përmendur, procedurat administrative dhe gjyqësore para të gjitha organeve lokale dhe shtetërore në territoret ku shqiptarët janë shumicë duhet të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.
Po ashtu, sipas Strategjisë në fjalë, shteti nëpërmes shërbimit radio-difuziv publik duhet t’u sigurojë pakicave, në rastin konkret shqiptarëve, informimin në gjuhën shqipe, së paku, nese jo nëpërmes një kanali të veçantë televiziv, kohëzgjatja dhe struktura e emisioneve televizive në kanalet publike të jetë përafërsisht në përputhje me pjesëmarrjen e shqiptarëve në strukturën e përgjithshme të popullsisë.
Në komunën e Ulqinit, në të cilën nga numri i përgjithshëm i popullsisë, përafërsisht 75 për qind e banorëve janë me përkatësi kombëtare shqiptare, komunikimi zyrtar i qytetarit me organet zyrtare, në pothuaj të gjitha organet e administratës publike dhe gjyqësore zhvillohet, me disa përjashtime të vogla, vetëm në gjuhën malazeze, ndërkaq gjuha e vetme komunikuese ndërmjet organeve dhe institucioneve të përmendura është vetëm gjuha malazeze, përkundër faktit se në bazë të nenit 17 të Statutit të komunës së Ulqinit gjuhë zyrtare, në mënyrë të barabartë është edhe gjuha shqipe.
Përdorimi zyrtar i gjuhës, në kuptimin e nenit të përmendur, nënkupton veçanërisht përdorimin e gjuhës në procedimet administrative dhe gjyqësore, në dhënien e dokumentave publike dhe personale dhe mbajtjen e evidencave zyrtare.
Shtrohet pyetja, pra, pse procedura gjyqësore në tërësi ndaj një të akuzuari apo kërkuesi nuk zhvillohet në gjuhën shqipe?! Pse aktgjykimet nuk janë në gjuhën shqipe?! Pse fletarrestet janë vetëm në gjuhën malazeze?! Përse, së paku, thirrjet për pjesëmarrje në seancat gjyqësore apo dhënien e dëshmive nuk janë në gjuhën shqipe?! Pse dygjuhësia nuk përdoret në komunikim me shkrim me qytetarin në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të mirëqenies sociale, sigurimit shëndetësor, shërbimit kadastral e të pasurisë, të ardhurave shoqërore, postës etj.?!
Rrjedhimisht dhe si pasojë gjuha shqipe, në këtë komunë me shumicë shqiptare, është e papërdorshme dhe restriktive apo në rastin më të mirë ka veprim institucional të kufizuar. Kështu, nëse nuk ndërron diçka, do të jetë edhe në komunën e Malësisë, po ashtu me shumicë shqiptare, ndërsa në vendet tjera të banuara me shqiptarë përdorimi i gjuhës shqipe në organet dhe institucionet lokale apo shtetërore në territorin e tyre është pothuaj i pamundur, edhe pse, siç e cekëm edhe më lart, Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (Strasburg, shkurt 1995) parashikon se personat që u përkasin pakicave kombëtare mund të ushtrojnë të drejtat dhe të gëzojnë liritë që burojnë prej parimeve të parashikuara në Konventën Kuadër, në mënyrë individuale si dhe në bashkësi me të tjerë (neni 3. E – pjesa e parë). Ndërkaq përdorimi i gjuhës së pakicës në marrëdhëniet midis këtyre personave dhe organeve administrative është parashikuar në nenin 10 (pjesa e dytë) të Konventës Kuadër.
Në bazë të Kartës Evropiane te Gjuhëve Regjionale ose të Pakicave, shteti duhet të parashikojë (neni 9) që gjykimi në procesin penal të zhvillohet në gjuhën e pakicës; që kërkesat dhe provat me shkrim ose me gojë nuk duhet të konsiderohen të pavlefshme, vetëm për shkak të formulimit të tyre në gjuhën e pakicës – në gjuhën shqipe; të hartojë dokumentat e procesit gjyqësor dhe provave në gjuhën e pakicës e kur është e nevojshme të kërkohet ndihma e përkthyesve, por pa shkaktuar shpenzime shtesë për të interesuarit.
Edhe Konventa Kuadër parasheh që shtetet nënshkruese (kontraktuese) janë të detyruara t’i garantojnë çdo përfaqësuesi të pakicave të drejtën që mënjëherë të lajmërohet në gjuhën e vet, mbi shkaqet e arrestimit si dhe për natyrën dhe arsyet e akuzës ndaj tij si dhe të drejtën e mbrojtjes në gjuhën e vet, pa shpenzime shtesë për të pandehurin.
Pra, infrastruktura ligjore e brendshme për të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare, si pjesë e korpusit të të drejtave dhe lirive të qytetarit të lirë nuk mungon, edhe pse duhet të avancohet e të barazohet më të drejtën ndërkombëtare.
Nisur nga të gjitha dokumentat e përmendura qytetari i lirë, anëtari i partisë politike shqiptare me të drejtë pyet: Kush e pengon ose thënë më mirë, kush nuk dëshiron implementimin e Ligjit mbi pakicat, Statutit të Komunës, Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, Kartës Evropiane të Gjuhëve Rajonale?!
Pushteti qendror?! Populli?! Nuk e besoj!
Atëherë partitë politike shqiptare dhe liderët e tyre së bashku me përfaqësuesit “e rehatshëm“ në organet ligjvënëse e zbatuese, çfarë po bëjnë? E përfaqësojnë popullin shqiptar ata?
Gjithsesi që po, por në mënyrë të patrazuar për këto çështje thelbësore qëndrojnë dhe e ruajnë “rehatinë “ e vet, ndërsa me popullin do t’i qajnë hallet kur të afrohen zgjedhjet, gjithsesi! (vijon)

Share.

Leave A Reply