Hetime nga Kombet e Bashkuara për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi

0

Ndërkohë që gjatë ditëve të fundit, një numër udhëheqësish botërorë janë shprehur se hetimet e njoftuara nga Arabia Saudite rreth vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, nuk janë të mjaftueshme — disa organizata joqeveritare ndërkombëtare kanë bërë thirrje për hetime të pavarura

Për Koha Javore: Frank Shkreli

Kjo është thirrja që i kanë bërë Turqisë javën e kaluar katër organizata të njohura ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Reporterët Pa Kufij, Amnesty International, Human Rights Watch dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, në një letër të përbashkët i kërkojnë Turqisë t’i bëjë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Z. Antonio Guterres, që të bëjë hetime mbi ekzekutimin e gazetarit të njohur saudit, Jamal Khashoggi. Hetimet, thonë këto ente të të drejtave të njeriut, duhet të shqyrtojnë rrethanat mbi rolin e Arabisë Saudite në zhdukjen dhe më në fund në vrasjen e gazetarit Khashoggi. Qëllimi i hetimeve nga OKB-ja, sipas tyre, duhet të jetë identifikimi i të gjithë personave përgjegjës, të cilët kanë dhënë urdhrin dhe të cilët kanë planifikuar vrasjen e Jamal Khashoggit. “Turqia duhet të angazhojë Kombet e Bashkuara për të filluar hetimet në kohën e duhur, ashtu që të jenë të besueshme dhe transparente”, citohet të ketë thënë Robert Mahoney, zëvendësdrejtor i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Ndërsa ka shtuar se, “Pjesëmarrja e OKB-ës në këtë çështje, është garancia më e mirë që ato të dalin të suksesshme, më gjithë hetimet që po bëhen sa për sy e faqe nga vet sauditët dhe përballë përpjekjeve të qeverive të tjera, të cilat mund të kenë interesa për të ruajtur marrëdhëniet e leverdishme tregtare me Riadin.”
Në njoftimin për mediet ndërkombëtare, organizatat e mësipërme kërkojnë që provat që do të mblidhen gjatë hetimeve nga OKB-ja, të ruhen me qëllim që të përdoren në çdo proces gjyqësor në të ardhmen, kundër dorasëve ose dhe pjesëmarrësve në vrasjen e gazetarit Khashoggi. Ato insistojnë gjithashtu që grupi hetues i OKB-së të jetë i lirë për të udhëtuar kudo që të jetë e nevojshme, për të intervistuar dëshmitarët ose njerëzit që mund të konsiderohen si fajtorë në këtë mes, pa ndërhyrje nga autoritetet e cilitdo vend qoftë.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “837” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply