Ku po shkon Shqipëria?

0

… Shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovën Lindore me të drejtë duhet të jenë krenarë për arritjet e tyre kombëtare, politike, ekonomike dhe sociale në dekadat e fundit. Megjithatë, ky përparim po rrezikohet nga prirjet negative politike, shoqërore dhe ekonomike, të cilat dëmtojnë krijimin e një shoqërie të begatë dhe demokratike

Elez Biberaj

Shoqëritë shqiptare vuajnë nga një polarizim i rrezikshëm politik, nga qeverisje të dobëta, korrupsion i përhapur thellë dhe mungesë e zërave të besueshëm për kompromis dhe moderim.
Njëzet vjet pas çlirimit, Kosova ka arritur përparime të shumta, por mbetet një shtet i brishtë. Negociatat me Serbinë duket se dominojnë gjithshka në Prishtinë, duke e bërë të vështirë që udhëheqja të përqëndrohet seriozisht në çështjet e ngutshme të brendshme. Kohët e fundit, pozita e Kosovës është dëmtuar nga hapat e gabuar të Prishtinës dhe nga grindjet e shumta brenda udhëheqjes.
Mungesa e konsensusit mbi çështjet themelore, si negociatat me Serbinë, kanë dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe kanë krijuar pakënaqësi mes mbështetësve më të fuqishëm të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Këto dëme, që Kosova ia ka shkaktuar vetë vetes, janë rezultat i dështimit të aktorëve kryesorë për të bashkëpunuar në hartimin dhe zbatimin e politikave të përbashkëta.
Presidenti Hashim Thaçi dukej i bindur se mund të arrinte një marrëveshje me homologun e tij serb për një “korrigjim kufijsh,” në shkëmbim të njohjes së Kosovës nga Beogradi. Plani i tij ka hasur në kundërshtime të ashpëra, pasi ai nuk arriti të angazhojë aktorët e tjerë kryesorë, veçanërisht Kryeministrin Ramush Haradinaj, ose të sigurojë mbështetjen e publikut për shkëmbim territoresh. Kjo shkaktoi probleme serioze brenda elitës politike dhe ka dëmtuar pozitën e Kosovës në negociatat e ardhshme me Serbinë. Shprehja publike e mosmarrëveshjeve politike në Prishtinë për këtë çështje, u dha municion atyre që vënë në dyshim vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës – dhe kjo në një kohë ndryshimesh të rëndësishme në mjedisin politik ndërkombëtar, shumica në favor të Serbisë.
Vazhdimi i ngërçit politik, marrëdhëniet jo-funksionale mes aktorëve kryesorë dhe paraliza e procesit vendim-marrës, mund të çojnë në një rënie të vazhdueshme të Kosovës si brenda edhe jashtë vendit. Udhëheqësit e Kosovës duhet të gjejnë mënyrat për të kapërcyer ndarjet politike dhe për të përcaktuar rrugën drejt së ardhmes. Do të bënin gabim të madh në se binin në vetë-kënaqësi dhe në se e marrin si të mirëqënë angazhimin e Amerikës. Dhe shqiptaro-amerikanët nuk mund të mbyllin sytë ndaj veprimeve që mund të dëmtonin marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “859” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply