Mëkat për qytetin tim

0

Të shkruash me trishtim për qytetin ku të shkel këmba e ku merr frymë është aq e dhimbshme sa të duket sikur e persekuton imazhin e sfilitur të tokës ku jeton. Është mëkat për qytetin tim ta vështrosh si qytet kaosi

Qani Osmani

Pasi që ka kohë që banorët e këtij qyteti helmohen ngadalshëm, jo nga tymi i oxhaqeve të fabrikave, pasi që fabrika në këtë vend nuk ka, por, nga tymi i hedhurinave të djegura nga disa deponi të ashtuquajtura inerte apo të egra…Ka kohë që ky vend piktoresk, qytet bregdetar dhe turistik, i njohur për nga burimet e tij të shumta dhe të freskëta po venitet, në mungesë të ujit të pijshëm…Ka kohë që ky qytet nuk e ka spitalin, por ka një ambulancë në të cilën mund të hyjsh i sëmurë , ndërsa të dalësh edhe më i sëmurë sesa kur ke hyrë; kjo si rezultat i pritjes, neglizhencës të stafit mjekësor dhe i mungesës së kushteve elementare që duhet t’i ketë një ambulancë… Ka kohë që ky qytet është shndërruar në sipërfaqe çimentoje dhe asfalti, pa drurë dhe pa gjelbërime…Ka kohë që i ashtuquajturi “Plan Urbanistik”, në realitet po e pamundëson urbanizimin e këtij qyteti… Ka kohë që trafiku nëpër këtë qytet në mungesë të rrugëve të mirëfillta dhe vendparkimeve të mjaftueshme është shndërruar në ankth, si për banorët e tij, ashtu edhe për vizitorët… Ka kohë që kësaj qendre kulturore të shqiptarisë në Mal të Zi, po i mungon infrastruktura themelore për zhvillimin dhe kultivimin e aktiviteteve kulturore, si dhe një bibliotekë e mirëfilltë…Ka kohë që ky qytet i të rinjve dhe studentëve po pret që të rinjtë ta luajnë rolin e tyre të mirëfilltë në shoqëri…Ka kohë që, në këtë qytet, gjithçka është në rënie, duke përfshirë këtu edhe vlerat dhe natalitetin, dhe se gjëja e vetme që po shënon rritje është numri i kafeneve, kazinove dhe bastoreve sportive…Ka kohë që fëmijët e këtij qyteti po presin me ëndje hapjen e një parku rekreativ, ku edhe ata do të mund të loznin dhe dëfreheshin sikurse bashkëmoshatarët e tyre nëpër qytetet e tjera…Ka kohë që popullata e këtij qyteti dhe e fshatrave përreth në mungesë perspektivash si pasojë e politikës të dështuar po e braktisë këtë vend si asnjëherë më parë, ndërsa , mërgimtarët, të cilët e gjallëronin këtë vend kohë pas kohe, tashmë kanë filluar t’i rrallojnë vizitat e tyre… Ka kohë që e ashtuquajtura ndërmarrje “Morsko dobro” (Të mirat detare) i ka detyruar shumë qytetarë ta ndjejnë veten si “qiraxhi” në tokat dhe shtëpitë e tyre… Ka kohë që shumë pronar të ullishtave në Valdanos presin që tu kthehet prona që të mund të kujdesen për ullirët dhe të vjelin frutat… Ka kohë që qytetarët e këtij qyteti të punësuar në ndërmarrjet publike dhe në administratën e Komunës i marrin rrogat me vonesë, jo vetëm me muaj, por, edhe me vite…Ka kohë që pushteti lokalë i kësaj komune i ka veshët e shurdhur dhe dyert e mbyllura për problemet, hallet dhe nevojat e qytetarëve…

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “859” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply