Momenti i fundit për reflektim

0

Njerëz me pak ditë shkollë, formuan parti politike duke mos pasur asnjë koncept për zhvillim të vendit të vet apo avancim të të drejtave të popullit të vet, por vetëm i përdorën subjektet si instrumente për realizimin e kërkesave personale e familjare

Asdren Çelaj

Ka ardhur koha që politika t’u lihet në dorë atyre që dinë dhe atyre që kanë vullnet dhe dëshirë për unifikim të faktorit politik shqiptar.
Ka ardhur koha që të gjithë liderët, pa dallim, të lëshojnë pe, ti harrojnë inatet e vjetra dhe të mendojnë sadopak për interesin e përgjithshëm.
Zgjedhjet lokale në Malësi duhet të hapin një kapitull të ri të politikës shqiptare në Mal të Zi.
Nga Malësia mund të fillojë epoka e re, epoka e bashkimit të të gjitha forcave politike shqiptare.
Besoj thellësisht se shqiptarët do të dinë të vlerësojnë drejtë situatën e krijuar; nënvlerësimi, nënçmimi dhe diskriminimi që na bëhet ç’do minutë, është pasojë e përçarjes sonë dhe secili që dëshiron luan me neve.
Nga shumica e votuesve të të gjitha subjekteve shqiptare, por edhe të atyre qe nuk kanë votuar subjektet shqiptare, sot shihet mundësia e artë për bashkim, rasti që t’u jepet hapësirë njerëzve të pa sprovuar në politikë dhe të cilët me zemër e shpirt dëshirojnë ndryshime, dëshirojnë bashkim e faktorizim.
Poashtu të gjithë akterëve të politikës shqiptare në Mal të Zi duhet të ulen në një tavolinë dhe të arrijnë zgjidhje e cila do të pranohej nga të gjithë.
Përndryshe, pozita dhe ndikimi i shqiptarëve do të shkoj drejt humnerës, do të jetë vetëvrasje politike e kombëtare.
Ulqini, Tivari, Kraja, Malësia, Plava e Gucia, Rozhaja kanë njerëz, kanë intelektualë, kanë kuadro që dinë dhe duan të ndryshojnë sjelljen politike, që janë për bashkim dhe për punë të ndershme.
Zgjedhjet lokale ne Malësi le të japin shembull në të gjitha trevat se shqiptarët në ç’do kohë mund t’i bashkoj një ideal, mund ti bashkoj një interes i përgjithshëm.
Sot, më shumë se kurrë më parë është i nevojshëm unifikimi, është i kërkuar bashkimi rreth një qëllimi!.

(Autori është këshilltar në K. K. Guci)

Share.

Leave A Reply