Murtaja e bardhë e ka përfshirë Malin e Zi

0

Të dhënat statistikore të publikuara kohë më parë nga MONSTAT-i, dëshmojnë se Malin e Zi e ka përfshirë murtaja e bardhë, pikërisht në 18 komuna, duke dëshmuar se trendi negativ në shtimin e popullsisë vazhdon, duke qenë dukuri shqetësuese për të tashmen dhe të ardhmen, që është dëshmi e statusit ekonomik dhe social të banorëve në periudhën postmoniste të tranzicionit demografik, çështje e cila deri më tash nuk është trajtuar nga ana e pushtetit qendror për të marrë masa preventive ndaj kësaj dukurie me pasoja të përgjithshme shoqërore

Dr.Nail Draga

E dhëna e publikuar nga Drejtoria e Statistikës MONSTAT-i se në 18 komuna në Mal të Zi, ka më shumë të vdekur se sa të lindur, dëshmon se dukuria e murtajës së bardhë është e pranishme. Fjala është për periudhën katërmujore të këtij viti, duke cekur se shtimi natyror i popullsisë është me minus 212 banorë, nga del se aq persona më shumë kanë vdekur, sesa kanë lindur. Nëse analizojmë shpërndarjen territoriale del se pjesa më e madhe e komunave të tilla janë në veri, ndërsa dukuria e tillë i ka përfshirë edhe tre komuna në regjionin bregdetar, ku përveç Herveg Novit e Tivarit bën pjesë edhe Ulqini.
Sipas të dhënave nga MONSTAT-i del se në Mal të Zi nga janari deri në fund të prillit të këtij viti kanë lindur 2119 fëmijë, ndërsa në të njëjtën periudhë kanë vdekur 2331 qytetarë. Si më parë edhe tash vendin e parë të murtajës së bardhë e mban gjithnjë qyteti i Plevlës, sepse në atë qytet numri i të vdekurve është për 98 më i lartë se ai i të lindurve. Ndërsa qyteti me lindshmëri më të lartë është Podgorica, ku shtimi natyror është pozitiv sepse numri i të lindurve është më i lartë për 144 ndaj numrit të të vdekurve.
Ndërsa në lidhje me shtimin natyror në nivel shtetëror për vitin e kaluar, në Mal të Zi kanë lindur 7260 fëmijë, ndërsa kanë vdekur 6494 qytetarë, nga del se shtimi natyror ishte pozitiv për 766 qytetarë, duke qenë më ulëti në rritjen e numrit të banorëve në historinë e Malit të Zi.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “873” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply