Nevoja e përballimit me të kaluarën komuniste

0

Vizita zyrtare e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier të martën në Shqipëri, shënoi gjithashtu edhe ditën e fundit të shërbimit diplomatik të Ambasadorit gjerman në Tiranë, Zotit Hellmut Hoffmann.  Dëshiroj të rrëfej që nga fillimi, se ndërsa e kam ndjekur nga larg veprimtarinë e tij diplomatike në kryeqytetin shqiptar gjatë tre viteve të fundit, kam fituar një respekt dhe admirim për punën e tij si përfaqësues i një vendi mik që ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Në të vërtetë, këtë admirim e kam shfaqur në disa shkrime modeste për aktivitetin në përgjithësi të ambasadorit Hoffmann dhe të ambasadës që ai kryesonte deri dje në Tiranë.   Por ajo, që mbi të gjitha, më ka bërë përshtypje ishte serioziteti me të cilin ai trajtoi nxitjen e një dialogu publik — krejtësisht të munguar në Shqipëri — rreth të kaluarës komuniste në atë vend

frank shkreli1Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Kryediplomati gjerman, gjatë shërbimit të tij diplomatik trevjeçar vizitoi zona të ndryshme të Shqipërisë për t’u njohur me historinë e vendit, përfshirë edhe ish-kampet e përqendrimit si dhe burgjet e ish regjimit komunist, përfshirë Spaçin dhe Tepelën.  Për më tepër, ambasada gjermane nën drejtimin e Z. Hoffmann ka mbajtur konferenca dhe ka zhvilluar takime me publikun shqiptar, kushtuar të kaluarës komuniste në Shqipëri.  Konkretisht, ambasadori Hoffman, në bashkëpunim me zyrën e OSBE-së në Tiranë, gjatë mandatit të tij, kishte sponsorizuar një projekt për të matur njohuritë dhe perceptimet e publikut shqiptar mbi historinë komuniste si edhe mbi trashëgiminë e regjimit të Enver Hoxhës.  Në deklaratën e përbashkët me atë rast ata thanë se qëllimi i këtij projekti ishte,  “Për të nxitur shqiptarët që të diskutojnë mënyrat për të trajtuar historinë e shkeljeve flagrante të drejtave të njeriut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës”.  Gjatë mandatit të tij, Ambasadori Hoffmann e ka paraqitur këtë temë, në përpjekje për të zbardhur sadopak të kaluarën kriminale të regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u bazuar kryesisht në përvojën gjermane në këtë fushë, përvojë që i dha atij kredibilitet ndërsa i mëshoi kësaj teme si përfaqësues i një vendi që është përballur drejtpërdrejt me të kaluarën e vet naziste dhe komuniste.  Qëllimi i tij ishte që, duke u bazuar në eksperiencën e vendit të tij, por edhe në përvojën e vendeve të tjera ish-komuniste evropiano-lindore, të nxiste sado pak një dialog në radhët e klasës politike, të elitës intelektuale dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi mbi këtë kapitull të tmerrshëm të historisë së kombit shqiptar.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “719” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply