Pa përfaqësues shqiptarë

0

Në asnjërin prej organeve të pushtetit të Republikës Popullore të Malit të Zi të formuara pas zgjedhjeve të vitit 1946 nuk është përfshirë asnjë shqiptar

Gjekë Gjonaj

Edhe pse ky studim në fokus ka deputetët shqiptarë në Mal të Zi e vlerësoj të arsyeshme të përmend edhe disa të dhëna shtesë nga zgjedhjet e para të pasluftës në Republikën Popullore të Malit të Zi në periudhën mandatore 1946-50. Menjëherë pas këtyre zgjedhjeve u formuan organet e pushtetit dhe u emëruan drejtuesit e tyre.
a) Petar Komneniq, kryetar i Kuvendit Kushtetutdhënës
b) Millosh Radoviq, kryetar i Prezidiumit të Kuvendit Kushtetutdhënës.
c) Petar Komneniq, kryetar i Kuvendit Popullor.
ç) Bllazho Jovanoviq, kryetar i Qeverisë së Republikës Popullore të Malit të Zi.
d) Kuvendi Kushtetutdhënës në përbërjen e tij, përveç kryetarit, kishte nënkryetarin, sekretarin e parë dhe sekretarin e dytë.
dh) Presidiumi i Kuvendit Kushtetutdhënës përbëhej nga kryetari, nënkryetari i parë, nënkryetari i dytë , sekretari dhe 11 anëtarë të tjerë.
e) Kryesia e Kuvendit Popullor kishte kryetarin, nënkryetarin, sekretarin e parë dhe sekretarin e dytë.
ë) Presidiumi i Kuvendit Popullor përbëhej nga kryetari, nënkryetari i parë, nënkryetari i dytë dhe sekretari.
f) Qeveria e parë e Republikës Popullore të Malit të Zi, pas Luftës së Dytë Botërore, u formua para zgjedhjeve të vitit 1946, më 17 prill 1945 me Dekretin e Kryesisë së Kuvendit Popullor në pajtim me Ligjin mbi formimin e Qeverisë Popullore, si organ më i lartë ekzekutiv dhe urdhërdhënës i Malit të Zi Federativ. Kjo qeveri përbëhej nga kryetari, nënkryetari dhe 9 ministra.
g) Pas ndërrimit të emrit Malit i Zi Federativ në Republika Popullore e Malit të Zi në shkurt të vitit 1946, të Kuvendit Popullor të Malit të Zi në Kuvendi Popullor i Republikës Popullore të Malit të Zi dhe të Qeverisë Popullore të Malit të Zi Federativ në Qeveria e Republikës Popullore e Malit të Zi , qeveria e atëhershme dorëhiqet. Për shkak të këtyre ndryshimeve me Dekretin e Kryesisë së Kuvendit Popullor , më 17 prill 1946 emërohet qeveria e re.
gj) Kjo qeveri përbëhej nga kryetari, i cili njëkohësisht ishte edhe përfaqësues i një ministrie , 2 nënkryetarëve , të cilët në të njëjtën kohë ishin edhe ministra , 9 ministra të tjerë dhe dy kryetarë komisionesh.
h) Më 2 janar 1947 qeveria aktuale jep dorëheqje për arsye se ndërpritet puna e Kuvendit Kushtetutdhënës dhe në vend të tij vazhdon punën Kuvendi Popullor. Kjo solli disa ndryshime në organizimin e e disa ministrive.
Përfundim: Në asnjërin prej organeve të pushtetit të Republikës Popullore të Malit të Zi të formuara pas zgjedhjeve të vitit 1946 nuk është përfshirë asnjë shqiptar.

Share.

Leave A Reply