Përballja me të shkuarën obligim i shteteve demokratike

0

Vetëm ato shtete të cilat kanë hipotekat nga e kaluara kanë frikë të përballen me të shkuarën, sepse janë të vetëdijshëm për krimet e bëra nga strukturat qeveritare në kohën e monizmit, përkatësisht të diktaturës e cila ka lënë pasoja të mëdha tek qytetarët e vendeve të ish kampit socialist, ku as Mali i Zi nuk bën përjashtim

Dr.Nail Draga

Miratimi i pluralizmit politik në Europën Juglindore, përkatësisht në vendet e ish kampit socialist filloi me shëmbjen e Murit të Berlinit(8 nëntor 1989), duke u legalizuar në vitin 1990, që ishte fitore për popujt e vendeve përkatëse. Ishte ky fillimi i një frymëmarrje të re, duke legalizuar fjalën e lirë e cila ishte e ndaluar për rreth pesë dekada. Me paraqitjen e subjekteve të ndryshme politike, skena politike tash njihte pozitën dhe opozitën si binome të çdo vendi me demokraci pluraliste.

Mali i Zi me hipotekat e kaluara
Ndonëse po behën tre dekada nga miratimi i pluralizmit, Mali i Zi ende është i mbyllur për të trajtuar çështjet nga e kaluara e kohës moniste, që ka të bëjë me dënimet ndaj qytetarëve për pikëpamjet e tyre politike të cilët pushteti i trajtonte si armiq të sistemit të kohës. Kemi të bëjmë me mungesën e guximit të pushtetit për t’u ballafaquar me të kaluarën, që është obligim moral për viktimat dhe trashëgimtarët e tyre. Në saje të të dhënave që disponojmë në lidhje me burgosjet e të inkriminuarve si mbështetës të Informbyrosë(1948), Mali i Zi në përqindje ka pasur numrin më të lartë të të burgosurve politikë në Jugosllavi, të cilët kanë vuajtur dënimin në ujdhesën-burg në Goli Otok në Kroaci, ku janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe janë likuiduar si kundërshtarët e sistemit komunist.
Deri më tash në Mal të Zi nuk është miratuar asnjë ligj i cili do të rehabilitonte apo ti kompensonte ish të burgosurit në Goli Otok apo anëtarët e familjeve të tyre, edhe pse disa herë Qeveria ka premtuar që këtë çështje do ta vendosë në agjendën e saj, që e obligon edhe Deklarata e miratuar në Kuvendin e Malit të Zi.
Por, ndasitë politike në Mal të Zi nuk mund të jen arsyetim për mostrajtimin adekuat të pasojave të krimeve, të cilat në Mal të Zi, nuk janë vetëm nga viti 1948, por duke filluar me marrjen e pushtetit nga komunistët nga viti 1944.Andaj, në rrethana të reja shoqërore në pluralizëm, është e nevojshme që institucionet përkatëse duhet të kujtojnë viktimat politike nga koha e sistemit komunist në Jugosllavi, sikurse veprohet në vendet demokratike, sepse kultura e kujtesës është ndjenjë e obligim qytetarie.
Në këtë aspekt Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006 ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Europës: nr. 1096, nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”.
Po ashtu, Parlamenti europian ka miratuar rekomandimin ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ia përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme, deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj edhe sot nuk ekziston një datë e cila do të shënohej si Dita e kujtesës së viktimave të komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet e tjera nga ish kampi socialist.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “864” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply