Provokime policore ndaj flamurit kombëtar në Mal të Zi

0

Ngjarjet e ditëve të fundit në lidhje me pengimin e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar të përkujtojnë kohët e kaluara, ku ndalohej simboli kombëtar në sajë të një albanofobie e cila po rikthehet përsëri, që është kundër barazisë qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve dhe është mosrespektimi praktik i ligjeve që janë miratuar në Mal të Zi, kur janë në pyetje popujt pakicë në këtë mjedis multinacional

Nail Draga

Edhe pse me Kushtetutën e Malit të Zi, neni 79 pika 2, si dhe me Ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare, nenet 1, 2 dhe 3, është i lejuar përdorimi i simbolit kombëtar të popujve pakicë në Mal të Zi, ditëve të fundit në praktikë është shfaqur një albanofobi, pikërisht nga ata që duhet të mbrojnë qytetarët nga provokimet e ndryshme, kur është fjala për të drejtat qytetare dhe nacionale.
Dhe pikërisht në ditën e festës kombëtare të shqiptarëve më 28 nëntor në Ulqin, në vend që festa e shqiptarëve të nderohej duke vendosur flamuj kombëtarë në qytet, sikurse viteve të mëparshme, ndodhi një incident i papritur me një qytetar i cili është ndaluar nga policia lokale me argumentin se në makinën e tij ka vendosur dy flamuj të vegjël kombëtarë shqiptarë. Arsyeja ishte se ai(S.V.)ka shpalosur flamurin e një shteti tjetër që është e ndaluar me ligj. Dhe personi në fjalë është procesuar dhe dërguar te gjykatësi për kundërvajtje, ku pritet t’i jepet vendimi i dënimit. Ishte ky rasti i parë deri më tash ku ka vepruar policia, nga miratimi i ligjit për simbole kombëtare nga viti 2000.
Një lajm i tillë për opinionin ishte befasi e papritur dhe e papranueshme, por nuk vonoi shumë dhe diçka e tillë u njoftua nga Malësia(4.12.2018). Mediat njoftuan se në fshatin Milesh, qytetari E.B. në çatinë e shtëpisë në ndërtim ka vendosur flamurin kombëtar shqiptar. Edhe ai është dërguar në polici, është procesuar si dhe i është marrë flamuri kombëtar si mjet delikti. Pritet vendimi i gjykatësit për masën e dënimit. Dhe një veprim i tillë nga policia arsyetohet me Ligjin për qetësi e rend publik, neni 23 (Sl.list CG, nr.64/11). Kemi të bëjmë me një ligj i cili nuk është harmonizuar me Ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare (Sl.list RCG,nr.55./00), që paraqet dobësinë profesionale të hartuesve të tij, si dhe mosreagimin nga Ministria e të drejtave të Njeriut dhe të Pakicave. Ndërsa duke pasur parasysh sindromin antishqiptar të trashëguar nga e kaluara, nuk kemi si të mos dyshojmë se një veprim i tillë është bërë me qellim, duke i dhënë mundësi urdhërdhënësit që policia të veprojë në terren në mënyrë utilitare, sipas inercisë sikurse ishte rasti ditë më parë në Ulqin e Malësi.


Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “845” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply