Shtypi i lirë është gurthemeli i demokracisë

0

Kohët e fundit vihet re një aktivizim i ri nga ana e Kongresit amerikan në lidhje me lirinë e shtypit në botë, në përgjithësi dhe në veçanti mbi masat shtypëse të Moskës ndaj gazetarëve dhe organeve të pavarura të medias në Rusi. Vetëm gjatë dy javëve të fundit, në Kongresin amerikan u mbajtën dy sesione që kishin të bënin, njëri me keqinformimin rus anembanë botës dhe tjetri me lirinë ose më mirë të themi me mungesën e lirisë së shtypit në Rusi. Sesioni i fundit, i organizuar nga Komisioni Amerikan i Helsinkit dhe Grupi i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në botë, u mbajt të mërkurën e kësaj jave. Në diskutime morën pjesë, ndër të tjerë, edhe anëtarët e Kongresit, demokrati Adam Schiff, bashkëthemelues i një Grupi Dypartiak të Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë dhe Republikani Steve Chabot dhe përfaqësues të organizatave qeveritare dhe joqeveritare, të interesuara për fatin e lirisë së shtypit anembanë botës

Për Koha Javore: Frank Shkreli

Vihen re gjithnjë e më shumë përpjekje, në radhët e disa anëtarëve të Kongresit amerikan – si rrjedhim i shtypjeve të lirisë së medies sidomos në Rusi, por jo vetëm atje –për një mbështetje më të madhe për transmetimet e financuara nga qeveria amerikane, siç janë Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë.
Grupi dypartiak i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë është themeluar në vitin 2006 nga kongresmeni Adam Schiff dhe nga ish-kongresmeni Mike Pence, sot Zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara. Me rastin e themelimit të Grupit të Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë, Kongresmeni Schiff kishte deklaruar se, “Shtypi i lirë dhe i papenguar është jetik për një demokraci të shëndetshme. Është e papranueshme që gazetarët të punojnë në një atmosferë ku kanë frikë nga qeveria se për arsye të punës së tyre, ata mund të burgosen ose ata vetë dhe familjet e tyre mund ta pësojnë keq vetëm e vetëm se bëjnë detyrën e tyre si gazetarë të lirë.” Me atë rast gjithashtu ai pat thënë se objektivi i krijimit të këtij grupi ligjvënësish amerikanë për mbrojtjen e lirisë së shtypit anembanë botës — duke nënvijuar censurimin e lajmeve kudo që ndodh në botë — ishte jo vetëm mbrojtja e gazetarëve nga persekutimi për punën e tyre që bëjnë, por njëkohësisht synon të mbrojë edhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të mirë-informuar dhe për të pasur në dispozicion lajme të lira dhe të pakontrolluara nga autoritetet. Ndërsa ish kongresmeni Mike Pence (sot Zëvendëspresident i Amerikës), si bashkëthemelues i këtij grupi të Kongresit për mbrojtjen e lirisë së shtypit anembanë botës, pat deklaruar me rastin e themelimit të këtij grupi se, “Aty ku nuk ekziston liria e shtypit, aty nuk ka as liri. Në qoftë se Amerika do të vazhdojë të jetë dritë e shpresës në botë, ne duhet ta mbajmë lartë si ideal dhe ta mbrojmë shtypin e lirë dhe të pavarur, duke e avancuar dhe duke e përhapur nëpër botë, ndërkohë që ta mbrojmë edhe në vendin tonë. E kam për nder të jem anëtar i këtij grupi burrash dhe grash të Kongresit amerikan të dy partive, qëllimi i të cilëve është mbrojtja e lirisë së shtypit për mbarë njerëzimin”, kishte deklaruar para pak më shumë se 10- vitesh, ish-kongresmeni Pence, sot numri 2 i Shtëpisë së Bardhë.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “785” të revistës Koha Javore

Share.

Leave A Reply