Si u ndërgjegjësua çështja e Komunës së Tuzit

0

Me 27 Prill 2017, Kuvendi i Malit të Zi, me shumicë votash aprovoj Ligjin për organizimin territorial i cili parasheh realizimin e statusit të komunës së plotë të Tuzit, vendim ky i cili do duhej të hyjë në fuqi më 1 Shtator 2018. Menjëherë pas këtij vendimi përfaqësues të disa subjekteve politike shqiptare, dolën haptas me deklarata publike duke i atribuuar vetëm vetes këtë arritje dhe duke rrahur gjoksin se ishte meritë ekskluzive e tyre, pra si meritë e partive nacionale shqiptare !.

Për Koha Javore: Xheladin Zeneli / Nju Jork

Është interesant se në këtë aspekt, askush nuk përmendi rolin dhe kontributin e Diasporës Shqiptare në SHBA. Pse mohohet dhe anashkalohet puna dhe kontributi disavjeçar i kësaj Diaspore lidhur me komunën e Tuzit !?
Është tashmë e njohur për opinionin e gjerë se së paku gjatë 15 viteve të fundit, Diaspora Shqiptare në SHBA ka lobuar për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, duke pasur gjithnjë si prioritet kërkesën e realizimit të të drejtës së komunës së plotë për Tuzin ( Malësinë).
Për hir të së vërtetës, me këtë rast po bëj një përmbledhje të shkurtër të disa aktiviteteve me karakter ndërgjegjësues ( lobist) që janë zhvilluar lidhur me çështjen e komunës së Tuzit:
1. Në Dhjetor të vitit 2002 në hotelin “Sheraton” në New York, Lidhja Qytetare Shqiptaro- Amerikane ( AACL) organizoi takimin me kongresistin e atëhershëm, tani i ndjerë, Henry Hyde ( Henri Hajd) i cili ishte njëherit edhe kryetar i Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Kongresin e SHBA-së. Në takim ishte prezent edhe ish kongresisti amerikan, miku i njohur i shqiptarëve Ben Gilman. Aty u paraqitën problemet kryesore që preokuponin atëherë shqiptarët në hapësirën ballkanike, me ç ‘rast kërkesat e shqiptarëve në Mal të Zi u shtruan për herë të parë në një nivel kaq të lartë, pra para ligjvënësit numër një të politikës së jashtme të Kongresit Amerikan. Me ftesë të LQSHA dhe të z. Joseph DioGuardit, unë kam patur rastin të prezantoj kërkesat e atëhershme kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi, dhe vërtetoj me saktësi të plotë se kërkesa e parë dhe kryesore para kongresistit Hyde, ka qenë kërkesa për komunën e plotë dhe të pavarur të Tuzit ( Malësisë);
2. Vizita e delegacionit të Lidhjes Qyetare Shqiptaro- Amerikane nën udhëheqjen e kongresistit Tom Lantos ( tani i ndjerë), në trevat shqiptare në Mal të Zi ( vizitë e parë e nivelit të tillë), në fillim të gushtit të vitit 2003, vizitë kjo e cila ka pasur për qëllim mbledhjen e fakteve lidhur me pozitën e shqiptarëve në këtë republikë, me ç ‘rast në takimin që u mbajt në Tuz, është prezantuar edhe çështja e komunës së plotë të Tuzit ( Malësisë), para kongresistit Lantos ;
3. Më 30 Tetor 2003 mbahet seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan me temën “ E ardhmja e shqiptarëve në Mal të Zi”, e organizuar nga LQSHA me në krye ish kongresistin Joseph DioGuardi dhe e drejtuar nga kongresisti Tom Lantos, udhëheqësi i radhës së Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kongres, ku në mesin e çështjeve të tjera që preokupojnë shqiptarët në Mal të Zi, është dëshmuar edhe për çështjen e komunës së plotë për Tuzin;
4. Gjatë viteve 2004 deri me 2007, pasuan letrat (korrespondenca) e kongresistit Lantos me kryeministrin e atëhershëm të Malit të Zi, Milo Djukanoviq ( Gjukanoviq) si dhe me ministrin e atëhershëm të Punëve të Jashtme, Miodrag Vlahoviq ( Vllahoviq), përmes të cilave është kërkuar realizimi i të drejtave të shqiptarëve, me theks të veçantë- e drejta e komunës së plotë për Tuzin;
5. Në Korrik të vitit 2005 Delegacioni i Këshillit Kombëtar Shqiptaro- Amerikan
(NAAC) nën udhëheqjen e kongresistit demokrat Eliot Engel viziton Malin e Zi, respektivisht Tuzin;
6. Në Gusht të të njëjtit vit, Delegacioni i LQSHA, nën udhëheqjen e kongresistit republikan Dona Rohhrabacker ( Dana Rorabeker), gjithashtu viziton Tuzin ku njoftohet drejtpërsëdrejti me pozitën e shqiptarëve , konkretisht edhe lidhur me çështjen e komunës ;
7. Më 21 Dhjetor 2005 mblidhen shoqatat dhe organizatat Shqiptare me prejardhje nga trojet etnike nën Mal të Zi që veprojnë në SHBA për të kërkuar unanimisht të drejtën e themelimit të komunës së Tuzit ;
8. Nën organizimin e Shoqatës “ Malësia e Madhe” në Detroid, në vitin 2005 mbahet protestë kundër vendimit të qeverisë malazeze që Tuzit t’i jepet statusi i të ashtuquajturës komunë urbane;
9. Si rezultat i lobimit të Shoqatës “ Malësia e Madhe” dhe komunitetit shqiptar nga Detroit-i , në Prill të vitit 2010 pason letra e tre ligjvënësve amerikanë: Carl Levin ( senator) dhe Sander Levin e Gary Peters ( kongresistë) drejtuar sekretares së atëhershme të SHBA-ve, Hillary Clinton me qëllim që të ndikohet tek qeveria e Malit të Zi në realizimin e statusit të komunës së plotë për Tuzin ( Malësinë);
10. Në vitin 2009 , organizata e atëhershme e shqiptarëve nga Mali i Zi, me seli në New York, Lëvizja “ Atdheu na Bashkon”, në bashkëpunim me ekspertët shqiptarë të drejtësisë nga Malësia dhe SHBA, përpilon elaboratin për “Qëndrueshmërinë e Komunës së Malësisë” i cili në atë kohë nuk është përkrahur nga pjesa dërmuese e politikanëve shqiptarë në Mal të Zi;
11. Kurse më 22 Mars 2012 tre kongresistët amerikanë, Eliot Engel, Jean Schmidt ( Xhin Shmid) dhe Gary Peters ( Geri Piters), i drejtohen kryeministrit të atëhershëm Igor Lukšić ( Lukshiq) përmes letrës, ku shprehin shqetësimin e tyre lidhur me statusin e komunës së Tuzit në kuadër të kryeqytetit të Podgoricës dhe kërkojnë që banorëve të Malësisë t’ju mundësohet themelimi i komunës me status të barabartë me komunat e tjera në Mal të Zi. Po shkëpusim një pjesë nga kjo letër: “Ne ( pra kongresistët,(shënimi im) do të kishim kërkuar që Mali i Zi të ndjekë vullnetin e banorëve vendas dhe të rikonsiderojë jetësimin e komunës së Tuzit para se të përfundojë viti 2012 . Gjithashtu ne besojmë se derisa Mali i Zi fillon negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, realizimi i komunës së Tuzit do të ndihmonte në angazhimin e Malit të Zi në konsolidimin e demokracisë së një shoqërie multi etnike me mbrojtjen e plotë të të drejtave të popujve pakicë”;
12. Vite me radhë ,posaçërisht që nga viti 2006 deri në vitin 2015 janë organizuar protesta, demonstrata në Washington DC e New York të Diasporës Shqiptare në SHBA me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi me qëllim të ndërgjegjësimit të çështjes së të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, duke përfshirë edhe kërkesën e shqiptarëve për komunën e plotë të Tuzit( Malësisë). Këtu duhet të veçojmë demonstratën paqësore në Washington DC që u mbajt më 8 Prill 2014, në ditën e takimit të kryeministrit malazez, Gjukanoviq me z/presidentin amerikan, Joseph Biden,
(Xhozef Bajden) në Shtëpinë e Bardhë . Nën udhëheqjen e anëtarit të Asamblesë së New York-ut, Mark Gjonaj dhe me organizimin e të gjitha shoqatave me prejardhje nga trojet etnike nën Mal të Zi si dhe me përkrahjen e disa organizatave të tjera të komunitetit shqiptar, u mbajt demonstrata më masive e kohëve të fundit para Shtëpisë së Bardhë (Washington DC). Shoqatat organizuese dhe pjesëmarrëse në demonstratë ishin: Shoqata “ Ana e Malit ( NY), Shoqata “ Dedë Gjo Luli” ( NY), Fondacioni “ Dom Simon Filipaj” ( NY), Fondacioni “ Plavë-Guci” ( NY), Fondi Humanitar “ Malësia” ( NY), Shoqata Atdhetare “ Kraja” ( NY), Shoqata “ Malësia e Madhe”( Detroid, MI ), Shoqata “ Ulqini” ( Chikago) dhe Organizata “Rrënjët Shqiptare” ( NY);
Gjithashtu, gjatë 15 viteve të fundit janë bërë me dhjetëra reagime, apele e deklarata publike nga shoqatat dhe organizatat e lartpërmendura, duke kërkuar fuqishëm realizimin e statusit të barabartë të komunës së Tuzit me komunat e tjera në Mal të Zi.
Kjo është vetëm një pjesë e aktivitetit të Diasporës Shqiptare në SHBA lidhur me çështjen e komunës së Tuzit dhe është e pamundur që të numërohen të gjitha, por më thelbësor është fakti se për një kohë të gjatë kjo Diasporë dhe organizatat e saj, përmes formave të ndryshme të lobizmit, në mënyrë konsistente, pa kompromis dhe me vendosmëri gjithnjë ka insistuar vetëm në opsionin e statusit të komunës së plotë dhe të pavarur për Tuzin ( Malësinë), me dallim nga disa parti shqiptare në Mal të Zi të cilat kanë luhatur më qëndrimet e veta apo kanë bërë kompromis me partinë në pushtet për një status degradues të komunës në fjalë, për interesat e tyre ditore apo partiake.
Unë mendoj se presioni i vazhdueshëm që iu është bërë pushtetarëve të Malit të Zi kohë pas kohe, nga ligjvënësit amerikanë përmes lobizmit të Diasporës Shqiptare, ka patur efektin e vet. Gjithashtu, nuk besoj se ishte koincident aprovimi i Ligjit për organizimin territorial nga Kuvendi i Malit të Zi ( i cili lejon themelimin e komunës së plotë të Tuzit), pesë javë para anëtarësimit të Malit të Zi në NATO?!. (Ligji për organizimin territorial u aprovua më 27 Prill 2017, kurse anëtarësimi i Malit të Zi në NATO u bë më 5 Qershor 2017).Po ashtu, Mali i Zi është në vazhdim e sipër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në politikë zakonisht asgjë nuk i lihet rastit. Ka qenë gjithmonë qëndrimi i Diasporës Shqiptare që integrimi i Malit të Zi në organizatat euro-atlantike të kushtëzohet me realizimin e të drejtave të shqiptarëve. Në mes tjerash, ky qëndrim reflektohet në letrën e lartpërmendur të tre kongresistëve të SHBA-së ( Engel, Schmidt dhe Peters) të cilët i drejtohen kryeministrit malazez në vitin 2012, ku çështjen e komunës së Tuzit e lidhin me integrimin e Malit të Zi në organizatat euro-atlantike, përkatësisht me BE.
Më në fund, duhet përmendur edhe fakti se derisa pritet që më 1 Shtator 2018, Tuzi të fillojë të funksionojë si komunë me status të plotë ,në ndërkohë është e arsyeshme ekzistimi i një dozë përmbajtjeje dhe mosbesimi lidhur me realizimin e saj në praktikë, duke pasur parasysh premtimet e shumta zhgënjyese në të kaluarën nga ana e pushtetit malazez, si dhe aftësitë e këtij pushteti për manipulimet, dredhitë apo manovrimet politike të radhës.
Sidoqoftë, nëse në Shtator të vitit të ardhshëm vjen deri te realizimi i komunës së Tuzit në formën dhe modelin siç ka lobuar dhe angazhuar Diaspora Shqiptare në SHBA , pra komunë me status të plotë dhe të barabartë me komunat e tjera në Mal të Zi, atëherë kjo Diasporë e ka përmbushur obligimin e vet duke dhënë kontributin e saj të duhur në realizimin e një ndër kërkesave kryesore të shqiptarëve në Mal të Zi .
Ashtu si deri më tani, Diaspora do të vazhdojë gjithnjë edhe në të ardhmen që të angazhohet për realizimin e të drejtave dhe lirive të plota të bashkëkombësve të vet .

Share.

Leave A Reply