10 filmat më të mirë të vitit 2018

0

BBC ka përzgjedhur dhjetë filmat më të mirë të realizuar gjatë vitit 2018. Mes tyre spikasin “A Quiet Place” (“Një vend i qetë”), “Cold War” (“Lufta e ftohtë”) dhe “Leave no trace” (“Mos lër gjurmë”)

“A Quiet Place” (“Një vend i qetë”)
Me skenar dhe regji të John Krasinskit, i cili edhe luan në film me gruan e tij, Emily Blunt, filmi “A Quiet Place” është një film horror që ia torturon nervat shikuesit. Përbindëshat jashtëtokësorë e kanë zhdukur pjesën më të madhe të njerëzimit. Ata janë të verbër, prandaj i kapin viktimat vetëm përmes zërit. Kjo i detyron protagonistët e filmit që të komunikojnë vetëm me gjuhën e shenjave dhe të ecin zbathur. Edhe një qeshje me zë apo një gotë e rrëzuar mund ta shkaktojë vdekjen e tyre.

“Shoplifters” (“Hajdutët e shitoreve”)
Personazhet e këtij filmi janë rrëmbyes të fëmijëve, mashtrues dhe shumëçka tjetër. Filmi është një dramë socio-politike dhe ka fituar çmimin “Palma e Artë” në Festivalin e Filmit në Kanë. Në të paraqiten tri gjenerata të një familjeje, të cilët janë shumë të sjellshëm. Aktorët paraqiten si role të nevojshme, madje edhe heroike.

“Cold War” (“Lufta e ftohtë”)
Në këtë film paraqitet dashuria mes dy personave të cilët nuk mund të jetojnë së bashku por të cilët nuk mund të jetojnë pa njëri-tjetrin. Viktori dhe Zula takohen në Poloninë e viteve të 50-ta, kur Viktori rekruton këngëtarë dhe muzikantë për një ansambël të mbështetur nga qeveria. Lidhja e tyre plot pasion i vë përballë “Perdes së Hekurt”, por sa më shumë që kënaqen në koncerte, ata kërkojnë më tepër.

“If Beale Street could talk” (“Sikur rruga ‘Beale’ të mund të fliste”)
Filmi paraqet jetën e një çifti të ri, të cilët përballen me varfërinë, dhunën policore dhe racizmin institucional. Ai është si një baladë që e vlerëson lart shërimin e dashurisë që shfaqet nga dy protagonistët, anëtarët e familjeve të tyre dhe miqtë. Në film nuk i kushtohet shumë rëndësi radhitjes së ngjyrave dhe zërit, duke e bërë atë një film si një ëndërr të pakrahasueshme.

“The Favourite” (“E parapëlqyera”)
Në këtë film paraqitet një dramë historike e jetës së shtresës mbretërore të anglezëve. Filmi pasqyron periudhën e shekullit të tetëmbëdhjetë, kur Mbretëresha mbështetet shumë në shoqen e saj më të mirë, Sarën, për të biseduar për aristokratët. Në momentin kur në pallat futet kushërira e Sarës, gjërat marrin një rrjedhë tjetër. Protagonistet e këtij filmi e meritojnë të jenë në mesin e fituesve të çmimeve.

“Spider-Man: Into the Spider-Verse” (Spajdermeni: Brenda vargut të merimangave”)
Filmi është kryevepër që kombinon lëvizjet digjitale dhe ato mekanike. Në aspektin e prerjeve dhe stilit të ilustrimeve, filmi i ngjan më tepër një libri komik sesa një filmi me superheronj. Krijuesit e Spajdermenit, Stan Lee dhe Steve Ditko, kanë vdekur gjatë këtij viti, ndërsa ky film është respekti më i mirë për ta.

“The Rider” (“Kalorësi”)
Filmi i dytë i Chloe Zhaos në rolin e skenaristit është një film bashkëkohor “Western”, në të cilin paraqitet një kalorës i ri i rodeos, i cili goditet në kokë nga kali. Ai e di se rikthimi në rodeo do t’ia rrezikojë jetën. Lëndimi i shokut të tij është edhe më i rëndë, por ai nuk mund ta paramendojë veten duke bërë gjëra të tjera. Filmi është një dramë e vlerësuar, ndërsa në të ka ndikim përvoja e protagonistëve. Shumica prej tyre në film luajnë role që lidhen me jetën e tyre private.

“Leave no trace” (“Mos lër gjurmë”)
Regjisorja e filmit, Debra Granik, kthehet në triumfin e saj me një dramë të matur dhe pa kompromise. Në të paraqitet një veteran lufte i cili jeton thellë në një zonë malore. Filmi është plot skena incidentesh, por sërish duket i ngrohtë. Vajza e veteranit e kupton se mënyra e mbijetesës së babait të saj nuk mund të jetë edhe mënyra e saj.

“First Man” (“Njeriu i parë”)
Në këtë film tregohet se sa stresuese ka qenë puna e astronautëve në vitet e gjashtëdhjeta. Në këtë profesion pasqyrohet trimëria e tyre për t’u vendosur në njërën prej mjeteve më të rrezikshme dhe më të papërshtatshme të transportit në historinë e njerëzimit. Modestia e Armstrongut dhe përballja e tij me tragjedinë personale i japin ngarkesë emocionale filmit.

“Sweet Country” (“Vendi i dashur”)
Skena e filmit është e paraqitur në Australinë e viteve të njëzeta të shekullit të kaluar. Heroi i filmit e vret dhunuesin e gruas së vet në vetëmbrojtje dhe pastaj arratiset nëpër shkretëtirë. Ndjekja e tij paraqitet me skena të mrekullueshme arti. Filmi trajton temat e asimilimit, skllavërisë, fesë, ushtrisë dhe sundimit të ligjit. Ky film po vlerësohet si njëri ndër filmat më të mirë për historinë e Australisë, shkruan BBC.

Share.

Leave A Reply