Artistët shqiptarë shkëlqejnë në Teatrin e Beogradit me operën “Carmen”

0

Artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit me veprën “Carmen” shkëlqyen në Teatrin e Beogradit. Vikena Kamenica, Armando Likaj, Renisa Lacka dhe Armaldo Kllogjeri performuan operën “Carmen” në Teatrin Kombëtar të Beogradit duke marrë duartrokitjet e publikut.
Kjo operë erdhi në këtë skenë në kuadër të bashkëpunimit mes dy institucioneve, të Tiranës e Beogradit.
”Kjo operë vihet në skenë në kuadër të protokollit të bashkëpunimit të nënshkruar nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe Teatri Kombëtar i Beogradit. Kujtojmë se në muajin shtator opera “Carmen” në Tiranë u realizua me bashkëpunimet e ndërsjella të dy teatrove, me pjesëmarrjen e dirigjentit Dejan Saviq dhe këngëtarëve lirikë Lubica Vranesh dhe Janko Sinadinoviq, solistë të Teatrit Kombëtar të Beogradit”, bën me dije Ministria e Kulturës së Shqipërisë, transmeton ATSH.
“Carmen” e Georges Bizet bazuar në libretin e shkruar nga Meilhac dhe Ludovic Halevy është opera tragji-komike në katër akte , e cila për herë të parë është performuar më 3 mars të vitit 1875 në Paris, ndërsa në Operën gjermane në Berlin premiera e kësaj shfaqje është dhënë më 11 maj 1979.
Tema e operës bazohet në nevojën absolute të Carmen për liri dhe insistimin e saj në marrëdhënie të bazuar në pavarësi të plotë. Tregimi i Carmen dhe Don Jose, përfundon me një vrasje tragjike. Vepra përmes skenave komike prezanton të gjitha emocionet dhe tiparet e gjendjes njerëzore mendjelehtësinë, marrëzinë, joshjen, mizorinë dhe fatin.
Muzika e operës është e mbushur me melodi që të mbetet në mendje dhe është e dominuar nga vallet dhe ritmet spanjolle. Bizet vdiq papritur pas performancës së 33-të të operës “Carmen” pa e ditur se puna e tij do të njihej ndërkombëtarisht dhe do të korrte sukses brenda dhjetë viteve të ardhshme.
“Carmen” prej asaj kohe është bërë një nga veprat më të popullarizuara dhe më të njohura të stilit klasik. “Habanera”, arie e kënduar në aktin e parë dhe “Toreador”, arie e kënduar në aktin e dytë mbeten edhe sot dy nga ariet më të njohura të kësaj vepre. “Carmen” fillimisht fitoi reputacionin e saj nëpërmjet një seri prodhimesh jashtë Francës dhe nuk u shfaq në Paris deri në vitin 1883. Pas kësaj, ajo fitoi shpejt popullaritetin brenda dhe jashtë vendit.

Share.

Leave A Reply