Ulqini gati për festivalin e filmit “Seanema”

0

Festivali i filmit “Seanema” këtë vit do të mbahet në disa lokacione në Qytetin e vjetër të Ulqinit, në datat 31 gusht deri më 3 shtator.
Tema e edicionit të tretë është “EXILE” (Dëbim), ndërsa në fokus janë të rinjtë që ndihen të përjashtuar për shkak të dallimeve kulturore si dhe nga pamundësia për t`i realizuar idetë, planet dhe ambiciet në vendin ku ata jetojnë.
Përveç temës së re që prek këtë vit, “Seanema” ndryshon konceptin dhe bëhet festival me karakter garues, ku filmat garojnë në tre kategori: filmi më i mirë, filmi më i mirë i metrazhit të i shkurtër dhe çmimi i publikut ulqinak.
Rreth ndarjes së çmimeve vendos juria vlerësuese, e cila përbëhet nga regjisori malazez, Pavlle Simonoviq, regjisori Fatos Berisha dhe dramaturgia e gazetarja Dafina Halili.
Në jurinë që do të vlerësojë filmat e metrazhit të shkurtër do të jetë aktori, fitues i çmimit të madh të Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, Mirko Vllahoviq, regjisori i ri malazez, Senad Shahmanoviq dhe Tomas Auksas, regjisor, producent, aktivist dhe drejtor artistik i kompanisë multimediale Liberatum nga Londra.
Në programin e edicionit të tretë bëjnë pjesë filmat “Kushtetuta e Republikës së Kroacisë” e regjisorit Rajko Grliq, që do të shfaqet në natën e parë të festivalit, dy produksionet malazeze “Iskra” nga Gojko Berkuljan dhe “Perla e Bunës”. Krahas programit të filmit, festivali “Seanema” këtë vit organizon panele, leksione për studentët, prezantime për dhe rreth filmit, për të rinjtë dhe rëndësinë e mbrojtjes së ambientit.
Festivali hapet pranë Muzeut arkeologjik në Kala, të enjten datë 31 gusht në ora 8 në mbrëmje. “Seanema“ këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës në Mal të Zi, Komisioni për ndarjen e fitimeve nga lojërat e fatit, Qendra kinematografike e Malit të Zi, Komuna e Ulqinit dhe shumë partnerë e donatorë të tjerë. Hyrja në të gjitha ambientet e festivalit do të jetë falas.

Share.

Leave A Reply