Digjen shqiptarët

0

Në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Malit të Zi, partitë shqiptare do të përfaqësohen me vetëm një deputet. Tri listat shqiptare kanë fituar gjithsej 9769 vota apo 2678 vota më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012. Ky rezultat jo vetëm që është zhgënjyes, por përbën vazhdimin e tkurrjes së trupit votues të partive politike shqiptare dhe defaktorizimin e shqiptarëve në Mal të Zi

Zgjedhjet parlamentare që u mbajtën të dielën në Mal të Zi nuk sollën ndonjë ndryshim sa i përket shumicës së re parlamentare pasi që Partia Demokratike e Socialistëve ka fituar numrin më të madh të votave, rrjedhimisht edhe të deputetëve në përbërjen e re të Kuvendit të Malit të Zi. Ndërsa sa i përket shqiptarëve, ka vazhduar tkurrja e votuesve të subjekteve politike shqiptare, që në të ardhmen do të përfaqësohen me vetëm një deputet apo e shprehur në përqindje vetëm 1.23 për qind të Kuvendit të Malit të Zi, edhe pse sipas regjistrimit zyrtar të vitit 2011 shqiptarët përbëjnë 4.91 për qind të popullsisë së përgjithshme të Malit të Zi.
Zgjedhjet parlamentare u zhvilluan nën hijen e një incidenti, të ndodhur në natën para zgjedhjeve, me ç’rast policia arrestoi një grup të personave nga Serbia, në mesin e të cilëve edhe Bratisllav Dikiq, ish komandant i zhandarmërisë së Serbisë, të cilët i akuzon për përgatitjen e akteve terroriste në ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi, marrjen me dhunë të pushtetit dhe institucioneve shtetërore, përfshirë edhe arrestimin e kryeministrit Millo Gjukanoviq.
Partitë politike të opozitës dhe disa organizata të tjera që i kanë monitoruar zgjedhjet kanë thënë se procesi zgjedhor është shoqëruar me shumë parregullsi, që kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, duke akuzuar Partinë Demokratike të Socialistëve në pushtet se ka përdorur mjete të paligjshme, si blerja e votës dhe forma të tjera, duke ndikuar drejtpërdrejt në shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve dhe rezultatin e zgjedhjeve. Këto parti kanë deklaruar se nuk i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve.

Në Kuvendin e Malit të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve do të ketë 36 deputetë, Fronti Demokratik 18, Koalicioni i Madh Çelësi 9, Demokratët 8, Partia Socialdemokrate 4, Socialdemokratët e Malit të Zi 2, Partia Boshnjake 2, Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” 1 dhe Iniciativa Qytetare Kroate 1

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “736” të revistës Koha Javore

 

Share.

Leave A Reply