Rama: Me Izraelin marrëdhënie speciale

0

Ndërsa dhe disa nga shembujt e shumtë se si në periudhën më të errët të antisemitizimit, hebrenjtë në Shqipëri gjetën strehë nga popullsia vendase e cila i mbrojti ata nga nazistët gjermanë, kryeministri Rama u shpreh se “është një pyetje vërtetë e jashtëzakonshme sesi ka ndodhur që asnjë hebre nuk ju dorëzua gjermanëve nga shqiptarët, qofshin ata myslimanë apo katolikë, por po ashtu është një leksion i shkëlqyer i historisë sonë dhe kjo është ajo, pse unë besoj fort se nuk duhet ta marrim të mirëqenë, por duhet të bëjmë gjithçka mundemi që për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, ky të mbetet një thesar, i cili duhet mbrojtur fort e që duhet të shërbejë si frymëzim për të ardhmen”

“Marrëdhënia e Shqipërisë me shtetin e Izraelit është mjaft speciale dhe e shkëlqyer” – deklarata u bë nga kryeministri shqiptar Edi Rama i cili ishte ftuar të merrte pjesë në Konferencën Vjetore të Komitetit Izraelito-Amerikan të Çështjeve Publike në Uashington DC, një prej organizatave më të rëndësishme të komunitetit hebre në Shtetet e Bashkuara. Kryeministri Rama iu përgjigj disa pyetjeve që kishin të bënin kryesisht me historinë e veçantë të mbrojtjes që hebrenjtë morën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore por dhe marrëdhëniet e tanishme.
Ndërsa dhe disa nga shembujt e shumtë se si në periudhën më të errët të antisemitizimit, hebrenjtë në Shqipëri gjetën strehë nga popullsia vendase e cila i mbrojti ata nga nazistët gjermanë, kryeministri Rama u shpreh se “është një pyetje vërtetë e jashtëzakonshme sesi ka ndodhur që asnjë hebre nuk ju dorëzua gjermanëve nga shqiptarët, qofshin ata myslimanë apo katolikë, por po ashtu është një leksion i shkëlqyer i historisë sonë dhe kjo është ajo, pse unë besoj fort se nuk duhet ta marrim të mirëqenë, por duhet të bëjmë gjithçka mundemi që për fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë, ky të mbetet një thesar, i cili duhet mbrojtur fort e që duhet të shërbejë si frymëzim për të ardhmen”.
Dhe pikërisht jo vetëm për ta treguar, por dhe për ta sjellë si shembull, këtë pjesë të historisë, kryeministri Rama tregoi për projektin “për të ndërtuar një qendër kulturore për miqësinë shqiptaro-izraelite në zemër të Tiranës, kryeqytetit tonë dhe për këtë kemi angazhuar Daniel Libeskind, që është autori i madh i muzeut hebraik në Berlin, që po punon me ne për këtë projekt. Ne duam që në këtë qendër të tregojmë historinë e marrëdhënieve tona për fëmijët tanë, por edhe për fqinjët tanë. E ndërkohë do të doja shumë të shihja një binjakëzim të kësaj qendre të ndërtuar në Jerusalem, ku të gjithë njerëzit e të gjithë feve dhe besimeve të mund të mësojnë historinë e jashtëzakonshme se përtej çdo feje e besimi, shqiptarët i panë hebrenjtë si njerëz ndaj njerëzish”, u shpreh kryeministri shqiptar.
Duke folur për Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Tiranë, zoti Rama tha se “dhe Kryeministri Banjamin Netanjahu na ka premtuar që Izraeli do të jetë nga partnerët kryesorë, që ta shndërrojnë këtë qendër në një pikë referimi në të gjithë rajonin”.
Lidhur me forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve zoti Rama tha se “duam ta shohim të zhvillohet e duam të shohim që të ndodhin më shumë gjëra midis nesh”, ndërsa theksoi se “për herë të parë, këtë vit do të ketë një fluturim të drejtpërdrejtë nga Izraeli në Shqipëri përgjatë periudhës së verës. Kështu që unë dëshiroj fort, që ajo çka një herë e një kohë përkufizohej nga Leo Elton, në raportin e vet të 1935-s, si toka e dytë e hebrenjve, të bëhet shtëpia juaj e dytë për pushime. Kështu që jeni mjaft të mirëpritur në Shqipëri”, u shpreh kryeministri Rama duke ju drejtuar pjesmarrësve të shumtë në Konferencë.
Dhjetorin e kaluar vota e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës së paraqitur nga Jemeni dhe Turqia që hidhte poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA, shkatoi polemika në vend. Opozita foli për “një qëndrim të gabuar”, ndërsa kritika u shfaqën dhe nga presidenti Ilir Meta, sipas të cilit një qëndrim i tillë i Shqipërisë kishte qenë “tërësisht i panevojshëm”. Por ministria për Europën dhe Politikën e Jashtme shpjegoi se “vota jonë në OKB reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë cështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”. (VOA)

Share.

Leave A Reply