15 medalje në “Sarajevo Open”

0

Garuesit e “Ulqini”-t fituan shtatë medalje të arta, pesë medalje të argjendta dhe tri medalje bronzi në disiplinat ndeshje dhe forma. Në turne morën pjesë 730 garues të 61 klubeve, nga 12 vende

Në kryeqytetin e Bosnje e Hercegovinës, Sarajevë, të shtunën e kaluar është mbajtur Turneu ndërkombëtar në sportin olimpik të taekwondosë, ku kanë marrë pjesë 730 garues të 61 klubeve, nga 12 vende. Në mesin e tyre ishte edhe KT “Ulqini”, i cili në këtë turne u përfaqësua nga 17 garues, në të dy disiplinat – ndeshje dhe forma.
Në deklaratën për shtyp të këtij klubi thuhet se garuesit e tij nuk e patën të lehtë dhe në një konkurrencë të fortë arritën të fitojnë 15 medalje: shtatë medalje të arta, pesë medalje të argjendta dhe tri medalje bronzi.
Në disiplinën e ndeshjeve, me medalje të arta u kurorëzuan Bledar Kasmi, Amella Nuti dhe Arta Ismailaga, me medalje argjendi Enes Dushku, Merisa Malokraja dhe Sara Kraja, ndërsa me medalje bronzi Amar Bakalli, Harun Dervishi dhe Mervana Muçaj
Në disiplinën e formave, me medalje të arta u kurorëzuan Sumeja Bisha, Amra Dushku, Medina Kanaqi dhe Dion Mustafa, kurse me medalje të argjendta Amrudin Hoxhiq dhe Fiona Kraja.
Drejtuesit e KT “Ulqini” falënderojnë sponsorët për përkrahjen e dhënë dhe prindërit e garuesve me ndihmën e të cilëve, siç thuhet, “me plot vështirësi arritëm ta kapërcejmë edhe këtë garë me sukses”.  (Kohapress)

Share.

Leave A Reply