Gara kundër orës dhe ndryshimeve klimatike

0

Çdo dimër, afro 6 000 persona nga Holanda bëjnë një pelegrinazh në Weissensee, qytetin austriak me 753 banorë. “Emigrantët” e klimës në botën sportive, kërkojnë të ftohtit dhe akullin e këtij liqeni të madh, në formë asparagusi

Mijëra holandezë me patina u mblodhën para agimit mbi sipërfaqen e ngrirë të Weissensee, liqenit të gjatë dhe të ngushtë që ia jep emrin edhe qytetit të vogël austriak ku gjendet liqeni.
Qielli ishte i errët dhe dritat e holandezëve me patina, që i kishin vënë mbi kokë, po jepnin një shkëlqim mbi akullin që dukej i zi. Ata ishin paralajmëruar që mos t’i hiqnin syzet, në mënyrë që sytë të mos ngriheshin në erë.
Kushtet sipas çdo standardi të arsyeshëm ishin brutale. Por, garuesit ishin në qiellin e shtatë.
“Gjëja më e bukur në jetë është patinazhi mbi një shtresë akulli që merr ngjyrën e zezë, në të ftohtë, duke dëgjuar tingujt e patinave në natyrë”, tha Wim Wiltenburg (53), një bankier që kishte ardhur nga Tilburgu.
Patinazhi i shpejtë në akull natyror është një sport nacional në Holandë që e adhurojnë të gjithë dhe që ka traditë. Megjithatë, holandezët këtë traditë nuk e mbajnë domosdo në Holandë, shkruan “The New York Times”. Ndryshimet klimatike bëjnë që dimri të jetë i ngrohtë dhe ujërat nuk mund të ngrihen për të aplikuar këtë sport.
Pasojat e kësaj janë ndier më thellësisht në një ngjarje historike të quajtur Elfstedentocht, një turne njëditor i shpejtësisë në distanca të gjata nëpër njëmbëdhjetë qytete të provincës Friesland në Holandë. Kjo garë mban një vend të rëndësishëm në kulturën sportive holandeze. Gara, emri i së cilës përkthehet “turneu në 11 qytete”, është mbajtur që nga fundi i viteve 1700 dhe zyrtarisht njihet që nga viti 1909.
Duke përshkuar një rrugë të vazhdueshme prej rreth 200 kilometra, gara në Elfstedentocht mbahet vetëm kur liqenet dhe kanalet e Frieslandit krijojnë trashësi të akullit prej 15 centimetrash ose më shumë. Kjo dikur ishte një gjë thuajse e zakonshme. Kohët e fundit ka ndodhur shumë rrallë. Që nga fillimi i garës zyrtare në vitin 1909 e deri më 1963, Elfstedentocht u mbajt 12 herë. Që atëherë ka pasur tri gara, e fundit në vitin 1997. Disa në Friesland pyesin veten nëse do të mbahet atje përsëri.

Periudha më e gjatë pa garë të mbajtur
Java e kaluar shënoi një moment historik shqetësues për garën Elfstedentocht: e premtja ishte dita e 8,070 që nga edicioni i kaluar, periudha më e gjatë pa një garë që nga fillimi i saj.
Por holandezët refuzojnë ta lënë shpirtin e saj të vdesë. Çdo dimër, afro 6.000 persona nga Holanda bëjnë një pelegrinazh në Weissensee, qytetin austriak me 753 banorë.
“Emigrantët” e klimës në botën sportive, kërkojnë të ftohtit dhe akullin e këtij liqeni të madh, në formë asparagusi. (Koha Net)

Share.

Leave A Reply