Kosova ka arritur më shumë se Shqipëria për 80 vite

0

Legjenda shqiptare e futbollit, Lorik Cana, në një intervistë për RTV “Dukagjini” ka thënë se përfaqësuesja e Kosovës ka ndikuar në dobësimin e Kombëtares shqiptare në futboll.
Cana ka thënë se trajneri Kristiano Panuçi e ka marrë Kombëtaren në një pozitë të vështirë, por gjykimi ndaj tij do të bëhet në fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian.
“Kur merr një ekip që ka arritur të luajë në Kampionatin Evropian, dhe që ka arritur në një nivel të lartë, është shumë e vështirë të mbash atë nivel. Ai është trajner i ri dhe ka dëshirë të madhe për të arritur suksese dhe gjykimi ndaj tij do të bëhet prej fazës kualifikuese të Kampionatit Evropian”, ka thënë ai.
Ish-kapiteni i Kombëtares ka thurur lavde për përfaqësuesen e Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova ka kryesuar grupin në Ligën e Kombeve me plot meritë.
“Është një mundësi e artë për Kosovën që ndoshta nuk i përsëritet për pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme. Kosova në fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë për t’u kualifikuar”, është shprehur ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare.
Cana ka thënë ndër të tjera se Kosova ka arritur aq sa Kombëtarja e Shqipërisë nuk e ka arritur për 80 vite.
“Kosova e ka një mundësi të artë të gjendet në gjysmëfinale të një kompeticioni ku Kombëtarja e Shqipërisë nuk e ka arritur për 80 vite”, deklaroi ndër të tjera Lorik Cana.
Kujtojmë se Kosova ka zënë vendin e parë në Grupin e tretë të Ligës D, duke u kualifikuar në fazën e play-offit të Ligës së Kombeve, ndërsa në sezonin tjetër do të luajë në Ligën C.
Në gjysmëfinale, ajo do të luajë me Maqedoninë në mars të këtij viti. Nëse e mposhtë Maqedoninë, Kosova luan në finale me fituesin e duelit Gjeorgji – Bjellorusi për të siguruar një vend në Kampionatin Evropian 2020.

Share.

Leave A Reply