Luftë e fortë për imazh të mirë të Shqipërisë

0

Pavarësisht faktit se këto dy ndeshje nuk janë përcaktuese, pasi që Shqipëria i ka humbur pothuajse edhe shanset teorike për t’u kualifikuar, ato shihen si një test për kombëtaren shqiptare në përballjet kundër ekipeve të forta dhe për trajnerin e ri Christian Panucci, si dhe për ruajtjen e imazhit të saj të mirë, sidomos pas pjesëmarrjes në edicionin e fundit të Kampionatit Evropian vitin e kaluar në Francë

Shqipëria do të luajë gjatë kësaj jave dy ndeshjet më të vështira të grupit G, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror në Futboll “Rusi 2018”, ku përballë do të ketë Spanjën dhe Italinë, kampionë të shumëfishtë botërorë.
Dy ndeshjet e para kundër këtyre kundërshtarëve, Shqipëria i ka humbur me rezultat të njëjtë 2-0.
Pavarësisht faktit se këto dy ndeshje nuk janë përcaktuese, pasi që Shqipëria i ka humbur pothuajse edhe shanset teorike për t’u kualifikuar, ato shihen si një test për kombëtaren shqiptare në përballjet kundër ekipeve të forta dhe për trajnerin e ri Christian Panucci, si dhe për ruajtjen e imazhit të saj të mirë, sidomos pas pjesëmarrjes në edicionin e fundit të Kampionatit Evropian vitin e kaluar në Francë. Por Shqipëria do të luftojë po ashtu për të arritur rezultate sa më pozitive në këto dy ndeshje, që të përforcojë vendin e tretë në këtë grup mjaft të vështirë, gjë që do të ishte në njëfarë mënyre plotësim i objektivave të vendosura në fillim.
Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci, pranon se të përzgjedhurit e tij do ta kenë të vështirë të arrijnë rezultat pozitiv ndaj Spanjës nesër në stadiumin “Jose Rico Perez” të qytetit të Alicantes, dhe tri ditë më vonë në përballjen kundër Italisë, në ndeshjen e fundit të grupit, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Por Panucci në një konferencë të mbajtur të hënën, ka kërkuar nga futbollistët që do të jenë në fushë në këto dy ndeshje të fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, luftë të fortë për imazh të mirë të Shqipërisë.

Ish-trajneri De Biasi,
tifo për Shqipërinë
Edhe pse jo më në stol, Shqipëria mbetet gjithmonë nën vëmendjen e Gianni De Biazit, që komentoi dhe dy sfidat e radhës së kuqezinjve me Spanjën dhe Italinë.
“Më mungon Shqipëria, më shumë tani që nuk jam sesa kur isha. Kur ke kaluar një periudhë të mirë në një vend ke gjithmonë nostalgji. Një ditë më parë mora një mesazh nga presidenti Duka dhe i thashë po fituat me Spanjën do ju bëjnë monument në Italinë. Uroj që të fitoni aty dhe pse në ndeshjen e fundit do të bëj tifo për Shqipërinë”, është shprehur ai.
De Biazi ka debutuar më së miri në Primera Divizion me Deportivo Alavesh, duke fituar me skuadrën e tij të re 2-0 ndaj Levantes, pas gjashtë humbjeve radhazi që kishte pësuar më herët ky ekip. (Kohapress)

Share.

Leave A Reply