Në pritje të kampionit të parë të botës

0

Luan Krasniqi, i cili vlerësohet si boksieri më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, ka luftuar për titull në kategorinë më prestigjioze, atë të rëndë. Kushëriri i tij, Haxhi Krasniqi, ka luftuar dy herë për titull dhe është në tentim për të siguruar luftën e tretë për titull të botës.
Shpend Abazi e ka mbyllur karrierën pas përpjekjes së pasuksesshme, ndërsa Tatli, njëjtë si Haxhi Krasniqi, është në kulm të karrierës

Shqiptarët ende nuk kanë kampionë të botës në boksin profesionist. Shqiptarët më të mëdhenj të ringut profesionist, shumica prej tyre, ia kanë dalë të luftojnë për tituj të botës, por janë ndalur në luftërat finale.
Këtë fat e patën Luan Krasniqi, Shpend Abazi, Haxhi Krasniqi e Edis Tatli.
Luan Krasniqi, i cili vlerësohet si boksieri më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, ka luftuar për titull në kategorinë më prestigjioze, atë të rëndë. Kushëriri i tij, Haxhi Krasniqi, ka luftuar dy herë për titull dhe është në tentim për të siguruar luftën e tretë për titull të botës.
Shpend Abazi e ka mbyllur karrierën pas përpjekjes së pasuksesshme, ndërsa Tatli, njëjtë si Haxhi Krasniqi, është në kulm të karrierës.
Që shqiptarët nuk kanë kampion të botës në boksin profesionist është fakt, sipas njohësve të boksit, por edhe vetë boksierëve me nam.

Krasniqi premton t’i bëjë krenarë shqiptarët
Të premten i ka ardhur fundi fazës së gjatë e të vështirë përgatitore të Haxhi Krasniqit për meçin që e zhvillon të shtunën tjetër me boksierin e madh, Arthur Abraham.
Pak ditë para meçit, Krasniqi ndihet i qetë dhe i gatshëm për përballjen e madhe. Të dielën ai ka numëruar plot shtatë muaj e 11 ditë përgatitje për sfidën që pritet t’i japë drejtim karrierës së tij.
Meçi me Abrahamin, që zhvillohet në Erfurt të Gjermanisë, është eliminator për titull të botës në kategorinë super të mesme në versionin WBO. Fituesi i këtij meçi më pas do të luftojë për titull të botës. Ndonëse Krasniqi ka luftuar dy herë për titull të botës, Abraham është boksieri më i suksesshëm që ai ka përballë.
Paraqitja e Krasniqit të shtunën mbrëma, pritet të dallojë ndjeshëm prej paraqitjeve të kaluara të tij.
“Jam në formën më të mirë të mundshme. Kam bërë hap shumë të mirë që e kam ndërruar trajnerin. Në aspektin teknik e taktik tashmë mendoj se jam më i kompletuar. Përgatitjet kanë shkuar si më mirë. Sot bëhet 7 muaj e 11 ditë prej që kam nisur stërvitjet e të cilave nuk u jam ndarë. Kam nisur të përgatitem që nga 5 shtatori i vitit të kaluar, kur përfundova pushimin në Kosovë. Nuk kam bërë asgjë që ka mundur të më largojë nga stërvitjet. Kam qenë i përkushtuar maksimalisht në ushtrime, në përgatitje”, ka thënë Krasniqi.
Ai bokson për Gjermaninë dhe në këtë vend njihet me emrin Robin.
Krasniqi të premten u dha fund sparingut dhe me këtë edhe stërvitjeve të vështira. Deri të shtunën do të ushtrojë më lehtë, sa për të mbajtur peshën dhe gjendjen fizike të arritur me shumë mund. Do të ketë edhe aktivitete publike, por jo stërvitje që kërkojnë angazhim të madh.  (Koha Net/Kohapress)

Share.

Leave A Reply