Nënkampionë Antigona Rama, Adnan Kuqi dhe ekipet në luftra dhe kata

0

Garuesit e këtij klubi arritën të kurorëzohen me gjashtë medalje, prej të cilave katër medalje të argjendta dhe dy medalje të bronzta. Nënkampionë të Malit të Zi në luftra individuale u shpallën Antigona Rama, në kategorinë +68 kg, dhe Adnan Kuqi, në kategorinë +84 kg, ndërsa në disiplinën ekipore, ekipi i djemve në kata, në përbërje Allmir Hajdari, Marko Daboviq dhe Elvir Islami, dhe ekipi i vajzave në luftra, në përbërje Seida Suma dhe Antigona Rama

Klubi i Karatesë “Ulqini” zuri vendin e katërt në renditjen e përgjithshme, në Kampionatin e Malit të Zi për Seniorë, që u mbajt të shtunën në Podgoricë.
Garuesit e këtij klubi arritën të kurorëzohen me gjashtë medalje, prej të cilave katër medalje të argjendta dhe dy medalje të bronzta.
Nënkampionë të Malit të Zi në luftra individuale u shpallën Antigona Rama, në kategorinë +68 kg, dhe Adnan Kuqi, në kategorinë +84 kg, ndërsa në disiplinën ekipore, ekipi i djemve në kata, në përbërje Allmir Hajdari, Marko Daboviq dhe Elvir Islami, dhe ekipi i vajzave në luftra, në përbërje Seida Suma dhe Antigona Rama.
Nga KK “Ulqini” kanë bërë të ditur se ekipi i vajzave ishte i dobësuar pasi që garuesja e tretë Hantije Ibroçi, nuk mundi të marrë pjesë në këtë garë për shkaqe objektive, por prapëseprapë u arrit të ruhet primati i këtij ekipi që tash disa vite me radhë është ndër ekipet më të mira të senioreve në luftra, si në vend ashtu edhe në rajon. Në finale, ato luftuan kundër ekipit të KK “Omlladinac” nga Podgorica, i cili është ndër ekipet më të mira në Evropë, ku dëshmuan një punë të shkëlqyer.
Ndërkaq, me medalje të bronztë në luftra individuale u kurorëzua Seida Suma, në kategorinë -68 kg, si edhe ekipi i seniorëve në luftra, në përbërje Edin Kraja, Allmir Hajdari, Marko Daboviq dhe Adnan Kuqi. Edhe ky ekip tash disa vite me radhë gjendet ndër tre ekipet më të mira.
Vlen të përmendet suksesi i karateistit të ri të KK “Ulqini”, Adnan Kuqi, i cili sapo i ka mbushur 18 vjet dhe për herë të parë garoi në kategorinë e seniorëve. Ai është bartës aktual i medaljes së bronztë ballkanike në luftra individuale për seniorë të rinj U21, në kategorinë +84 kg, dhe kampion ballkanik në luftra ekipore. Në finale, ai u përball me karateistin më cilësor në Mal të Zi, Allmir Cecunjanin, bartës i shumë titujve të nivelit evropian e botëror dhe me një përvojë shumëvjeçare. Përkundër kësaj, Kuqi u tregua shumë i fuqishëm me një përgatitje shumë të mirë duke u ballafaquar me mjeshtri me këtë garues të nivelit botëror.
KK “Ulqini” u përfaqësua në Kampionatin e Malit të Zi me shtatër garues.
“Edhe pse nuk ishim në përbërjen e kompletuar, pasi që na munguan dhe disa garues të tjerë të njohur dhe të fuqishëm, prapëseprapë mbetëm ndër katër klubet më të mira të Malit të Zi për seniorë. Jemi të bindur se edhe në kampionatet në vazhdim për gjenerata të reja do të jemi shumë të suksesshëm, pasi që kemi një armatë shumë të përgatitur të të rinjve, gjithsej 82 garues të gatshëm të paraqiten në arenat vendore dhe ato ndërkombëtare, të cilët do të vazhdojnë të përfaqësojnë me dinjitet e krenari qytetin tonë, emrin e të cilit e mbajmë tash 43 vjet”, shprehen të kënaqur për rezultatet e arritura udhëheqësit e Klubit dhe kryetrajneri Kujtim Sukaliqi me trajnerët e tjerë të klubit.
Mirëpo nga KK “Ulqini” ankohen se përkundër rezultateve të garuesve të tyre, nuk janë të kënaqur me përkrahjen financiare, e cila është shumë e vogël.
“Prandaj Klubi ynë në garat në vijim do të marrë pjesë sa për të respektuar ftesat e bëra, me pak garues”, thekson deklarata për shtyp e KK “Ulqini”.
Sipas këtij Klubi, duke mos pasur përkrahje financiare po i pritet perspektiva të rinjve të tyre të cilët kanë përfaqësuar kudo me dinjitet këtë klub dhe qytetin e Ulqinit.
Drejtuesit KK “Ulqini” apelojnë për ndihmë te të gjithë qytetarët, komuna e Ulqinit, institucionet shtetërore e private, për hir të rinjve dhe traditës së gjatë prej më shumë se katër dekadash të këtij klubi.(Kohapress)

Share.

Leave A Reply