Otranti në barazh me Rudarin

0

Përballja e të shtunës në Ulqin mes futbollisteve vendas të Otrant Olimpikut dhe Çelikut nga Nikshiqi ishte vendimtare për ulqinakët për të siguruar vendin e tretë në tabelën e klasifikimit të Ligës së Dytë të Malit të Zi, që i mundëson ndeshjen e barazhit për inkuadrim në Ligën e Parë malazeze. Takimi, i cili u zhvillua në një atmosferë të bukur sportive në prani të afro 500 adhuruesve të futbollit, përfundoi me rezultatin 2:0 në favor të Otrantit.
Rexhoviqi në minutën e gjashtëdhjetë dhe Taçibana në minutën e tetëdhjetë e tetë shënuan për fitoren e skuadrës së Ulqinit, me ç ‘rast i tërë stadiumi në Plazhin e Madh shpërtheu në festë të madhe. Kjo fitore me meritë në qarqet sportive të këtij qyteti vlerësohet si historike dhe e papritur, meqë Otranti këtë sezon të garave hyri në Ligën e Dytë dhe i befasoi të gjithë me lojëra të shkëlqyeshme gjatë gjithë garës.
Kundërshtar në barazh i skuadrës së Otrantit do të jetë ekipi i Rudarit nga Plevla, i cili këtë sezon zhgënjeu tifozët e vet në Ligën e Parë të Malit të Zi. Megjithë rezultatet e dobëta të sivjetshme të Rudarit, ndërrimin e katër trajnerëve brenda sezonit, kjo skuadër me shumë trofe për ulqinakët do të jetë pengesë e vështirë për t’u kapërcyer. Gjithsesi futbollistët e Otrantit, edhe pse me mjete modeste financiare dhe pa fushën e tyre të futbollit, nën drejtimin dinjitoz të trajnerit Xhemo Kapllanbegut bashkë me stafin e tij, janë optimistë se do ta mposhtin Rudarin në dy ndeshjet e radhës, ndonëse janë të vetëdijshëm se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë.
Topi është i rrumbullakët, prandaj nuk është e thënë se ekipi favorit gjithmonë ngadhënjen. Kjo në sport është dëshmuar shumë herë. Pse të mos ndodhë befasia kësaj herë në favor të skuadrës së Otrantit, djemtë e së cilës me suksesin e arritur këtë sezon kanë shkruar historinë e re të futbollit në Ulqin. (Gj.Gjonaj)

Share.

Leave A Reply