Rreth tridhjetë pilotë fluturuan në qiellin e Malësisë

0

Tuz – Një grup pilotësh të pasionuar dhe me kurajë, kanë organizuar këtë të shtunë në Tuz një garë të sportit ajror “Free Flying” ose fluturim i lirë me vela siç njihet në gjuhën shqipe në kategorin e disciplinës së aterrimit në precizion.
Ky lloj sporti i cili bënë pjesë në sportet ekstreme, këtu tek ne por dhe në tërësi është një sport relativisht i ri, mirëpo falë disa pilotëve që e admirojnë dhe janë të mbushur përplotë stimulim për këtë lloj sporti, edhe tek ne në Malësi po fillon të njihet gradualisht.
Në vendin tonë deri më tani si pikë e përshtatshme dhe e piketuar për fluturim të pilotëve të fluturimit të lirë po frekuentohet ajo në Malin e Bratilës, nga ku është pikënisja e këtyre pilotëve të cilët më pas kanë një fushëpamje shumë atraktive dhe mahnitëse nga lart, ku nga disa qindra metra lartësi, vëzhgojnë malin, fushën e territorit të Malësisë dhe liqenin e Shkodrës.
Në garën e së shtunës e cila është bashkorganizuar nga Asociacioni Paragliding i Malit të Zi dhe nga pilotët profesionistë nga Malësia, Arben Gjurashaj dhe Fahrudin Gjokaj, kanë marrë pjesë afro tridhjetë pilotë nga vendi por edhe nga rajoni.
Në një ditë me diell e cila favorizoi pilotët pjesëmarrës në këtë garë, fluturimi i lirë me vela kishte pushtuar qiellin e një pjesë të Malësisë, ku banorët për herë të parë në këtë vend, patën rastin ta shikojnë dhe ta përjetojnë nga afër fluturimin e pilotëve në numër kaq të madh.
Arben Gjurashaj një pilot profesionist i cili ishte edhe drejtor i organizimit të këtij evenimenti sportiv, në një prononcim për gazetën “Koha Javore” thotë se ky lloj sporti në Mal të Zi nuk është shumë i njohur dhe i zhvilluar, duke qenë se bënë pjesë në sportet ajërore më të reja.
“Këtu në Mal të Zi kemi gjithsej afro tridhjetë pilotë, njëzetë prej të cilëve në kontinuitet janë aktivë duke marrë pjesë nëpër evenimente të ndryshme të kësaj natyre”, shprehet Gjurashaj.
Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin që pilotët nga Mali i Zi kanë me shoqatat e tjera rajonale të Paraglidingut, Gjurashaj thotë se bashkëpunimi më i madh mes tyre dhe shoqatave rajonale është atëherë kur organizohen gara të tilla siç ishte kjo në Malësi në disiplinën e quajtuar “Precizion”.
“Disa herë kemi marrë pjesë nëpër gara në Shqipëri, Kosovë dhe në shtete të tjera rajonale. Sot ishte po ashtu një garë rajonale ku po marrin pjesë kryesisht pilotë nga Mali i Zi po edhe nga jashtë”, përfundon Gjurashaj.
Në të njëjtën kohë, Fahrudin Gjokaj, një pilot profesionist dhe i licencuar për këtë lloj sporti por edhe i pasionuar e entuziastë i kësaj disipline sportive, duke u prononcuar për “Koha Javore”, thotë se me promovimin që i bëjnë këtij sporti të ri në Malësi, synojnë që ta nxisin turizmin në Komunën e Tuzit, duke qenë se mali i Deçiqit (Bratilës) është një poligon shumë i ideal për këtë sport ajror.
“Ne jemi duke e promovuar këtë lloj sporti në Malësi nëpërmjet të cilit kemi si objektiv që ta nxisim fushën e turizmit në këtë trevë, thekson Gjokaj.
Ai vë në dukje se interesimi i të rinjve për këtë lloj sporti është duke u ngritur dhe gjithnjë gjenerata e re po e pëlqen këtë sport ajror ekstrem.
“Ne po e potencojmë këtë disiplinë sportive me synim që interesimi për paragliding sport të rritet gjithnjë e më shumë. Vërtetë se është një sport i ri ajror, por ne jemi duke kontribuar në atë drejtim që ky sport edhe tek ne të popullarizohet”, tha Gjokaj.
Gara e së shtunës në Malësi ka zgjatur pothuajse gjatë gjithë ditës ndërsa në orët e mbrëmjes janë shpallur edhe fituesit e kësaj gare si dhe janë ndarë çmimet përkatëse të cilat paraprakisht janë përcaktuar dhe vlerësuar nga gjyqtarët me përvojë dhe nga juria e garës.
Kjo është hera e parë që në Malësi organizohet një eveniment i tillë sportiv, i fluturimit të lirë me vela.
t. u.

Share.

Leave A Reply