Spektakël i madh sportiv me mjeshtra të mëdhenj

0

Tuz- Klubi i taekwondo-së “Besa” ka organizuar festivalin e IV-të të taekwondo- së në Malësi me rastin e kremtimit të 25 vjetorit të themelimit të këtij klubi, me ç rast është shpalosur një aktivitet i gjerë sportiv dyditor më 2 dhe 3 dhjetor 2017.
Ky aktivitet madhështor sportiv ka tubuar një numër të madh të sportdashësve nga ky klub (sportistë aktualë dhe ish-sportistë) por edhe nga 17 klube të tjera pjesëmarrëse të ftuara nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, etj, por dhe mysafirë specialë të ftuar nga vendet e rajonit dhe Evropës.
Gjatë këtyre dy ditëve të këtij aktiviteti sportiv në Tuz, sportistët e klubeve përkatëse kanë shpalosur talentin e tyre dhe mjeshtrinë që zotojnë për këtë lloj sporti, duke filluar nga anëtarët më të rinj deri tek ata më të vjetër, në prani të një numri të madh të sportdashësve nga Malësia dhe nga vendet e ftuara në këtë eveniment sportiv, i cili ditën e parë është zhvilluar në sallën sportive të SHF “Mahmut Lekiq” në Tuz kurse dita e dytë, përkatësisht manifestimi qendror ka vijuar në QKI “Malësia” në Tuz.
Trajneri i klubit “BESA”, Nikollë Gegaj, në prononcimin e shkurtër i tha Kohës Javore se të gjithë pjesëmarrësit në këtë festival sportiv i ka mirëpritur ashtu sikurse e kanë traditë malësorët- shqiptarë.
“Në ditën e parë sipas kategorive të përcaktuara sportistët kanë garuar në disa disiplina si: luftëra, pompse dhe kikë, kurse dita e dytë është karakterizuar kryesisht me luftëra në tapetin 1, kurse në tapetin 2 është zhvilluar demonstrimi dhe vetëmbrojtja si dhe janë shpalosur disa pika shumë atraktive nga anëtarët e klubit “BESA” dhe nga klubet e tjera pjesëmarrëse si dhe janë shpërblyer me çmime në këto gara sportistët më të mirë dhe trajnerët. Gjatë dy ditëve kemi punuar në dy tapete. Në njërin tapet zhvilluam luftëra kurse në tapetin tjetër zhvilluam disa disiplina të cilat ndoshta në gara të mëparshme nuk i kemi zhvilluar. Kemi pasur garat në pompse , demonstrim, në kikë rënie dhe në vetëmbrojtje”, u shpreh Gegaj.
Në këtë aktivitet sportiv dyditor kanë marrë pjesë dhe mjeshtër të mëdhenj të këtij arti marcial, siç është mjeshtri koreano-jugor i gradës mjeshtërore 8 DAN, Kim Yong Ki, mjeshtri nga Kroacia, Mirosllav Brezhan, etj.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti sportiv, drejtuesit e klubit “BESA” kanë ndarë disa plaketa dhe mirënjohje për dyzet sportistët (mjeshtërit) e këtij klubi ndër vite por dhe për disa sportistë të dalluar të klubeve mysafire. Po ashtu mirënjohje dhe falëndërime u janë ndarë edhe sponsorëve të cilët mundësuan organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv dyditor.
Ky aktivitet sportiv është mbëshetur nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Shoqata Malësia e Madhe- Detroit, Shoqëria e sportdashësve- Nju Jork, Shoqëria e Sportdashësve- Detroit, Restoranti “Verdi”- Tuz, “Alba Petrol”- Tuz dhe Restoranti “David”- Sukruq. t. u.

Share.

Leave A Reply