Në Ulqin po mbahet për të tretin vit turneu FED Cup

0

Në turne marrin pjesë përfaqësueset e 17 vendeve, në mesin e të cilëve për të parën herë edhe Kosova. Ekipet janë të ndara në katër grupe. Pas fazës grupore, fituesit e tyre do të përballen me njëri-tjetrin, ku dy ekipet fituese do të kualifikohen në Grupin e dytë

Ulqin – Në terrenet e Klubit të Tenisit “Bellevue” nga dita e hënë po zhvillohet turneu i Grupit të tretë të zonës evro-afrikane të FED Cup, i cili është turneu më i madh ekipor në tenis për femra në botë.
Ky është viti i tretë që KT “Bellevue” organizon këtë turne prestigjoz, në të cilin sivjet marrin pjesë përfaqësueset e 17 vendeve: Greqi, Luksemburg, Tunis, Maltë, Irlandë, Maqedoni, Armeni, Islandë, Qipro, Moldavi, Madagaskar, Algjeri, Norvegji, Mali i Zi, Maroko, Mozambik dhe Kosova, e cila sivjet merr pjesë për të parën herë në këtë turne.
Ceremonia e hapjes është zhvilluar të dielën mbrëma në hotelin “Otrant”, ku përpos garuesve dhe përfaqësuesve të ekipeve pjesëmarrëse, kanë marrë pjesë edhe personalitete nga jeta politike dhe shoqërore e Ulqinit.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Federatës së Tenisit të Malit të Zi, Dimitrije Rashoviq, ka thënë se pa Klubin e Tenisit “Bellevue”, i cili qëndron në kulm të sportit të tenisit në Mal të Zi, nuk do të kishin mundur të organizojnë një turne të këtillë të madh, por edhe shumë turne të tjerë më të vegjël që ndodhen në kalendarin e Federatës së Tenisit të Malit të Zi.
“Sikur të mos kishte qenë organizimi në një nivel të tillë të lartë, Asociacioni Botëror i Tenisit nuk do të na besonte organizimin”, është shprehur ai, duke falënderuar KT “Bellevue” dhe kryetarin e saj Nazif Cungu, për atë që ka bërë që prej themelimit të këtij klubi.
Ndërsa kryetari i KT “Bellevue”, Nazif Cungu, njëherazi edhe kryetar i Komunës së Ulqinit, ka thënë se para 7-8 vitesh ka qenë e pamundur që të flitet për tenis në komunën e Ulqinit.
“Por pasi që janë rinovuar terrenet, kemi ardhur në këtë situatë që të mund të organizojmë edhe turnetë më të mëdhenj ndërkombëtarë”, ka thënë ai, duke shtuar se gjatë vitit në terrenet e KT “Bellevue” zhvillohen 12 turne në nivel të ETA-s dhe ITF-së.
Por ai ka theksuar se pas organizimeve të suksesshme të turneve të deritashme, synimet në të ardhmen janë edhe më të mëdha.
“Nuk do të ndalemi vetëm në këtë. Krahas turneve që organizojmë në nivelin ETA dhe ITF, presim që vitin e ardhshëm të fitojmë organizimin e Davis Cup. Nëse do të ndodhë kjo, atëherë ky do të jetë kulmi”, ka deklaruar Cungu.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe mbikëqyrësi i Federatës Ndërkombëtare të Tenisit.
Ekipet që marrin pjesë në turne janë të ndara në katër grupe. Pas fazës grupore, fituesit e tyre do të përballen me njëri-tjetrin, ku dy ekipet fituese do të kualifikohen në Grupin e dytë.
Turneu do të përfundojë të shtunën, kur do të mësohen emrat e ekipeve që do të sigurojnë kualifikimin në rang më të lartë.
Fed Cup apo Kampionati Botëror i Tenisit për femra është një garë prestigjoze, e cila tubon përfaqësueset e femrave nga 90 shtete të botës.

i.k.

Share.

Leave A Reply